ALO-QENDRA E RE NË PEJË
Darnell Cowart - përforcon Pejën
19 September, 2024 @12:01
Basketbollisti i ri i KB Pejës është Darnell Cowart. Ekipi verdhezi nga “Karagaçi” ka zyrtarizuar lojtarin e ri në ekip mbrëmë përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare të klubit në Facebook.
STARTI JO I MIRË I KB PEJA
Reagimi i ekipit të drejtuar nga Rami Hadar vjen pasi që Peja nuk nisi mirë stinorin në Superligë, duke pësuar në ndeshjen e xhiros së parë nga Vëllaznimi në “Shani Nushi”. Kësaj i parapriu edhe humbja në gjysmëfinale të turneut të Superkupës së Kosovës, ku pejanët u mposhtën nga KB Prishtina.
STATISTIKAT E STINORIT TË KALUAR
Përndryshe statistikat e stinorit të kaluar flasin mirë për Cowartin. Alo-qendra amerikane ka qenë pjesë e dy ligave të ndryshme përgjatë edicionit 2023/24 të garave në basketboll.
Ai ka luajtur për ekipin kilian Espanol, ku ka pasur mesatarisht 30.1 minuta për ndeshje, ndërsa ka shënuar 19.4 pikë, 2.3 asistime e 8.9 kërcime për ndeshje. Gjithashtu basketbollisti 203 centimetra i gjatë ka qenë pjesë edhe e Santfeliuenc në LEB Silver ligën spanjolle, ku ka luajtur mesatarisht 30.3 minuta për ndeshje, ndërsa ka shënuar 19.9 pikë, 2.1 asistime dhe 7.9 kërcime për lojë.
Si shtesë e re nën kosh të ekipit dhe me performancat e stinorit të kaluar, Cowart duket si lojtar që do të sjellë cilësi në ekip, ndërsa mbetet të shihet se sa do të jetë ndikimi i tij në rezultatet e ekipit të Pejës. Në xhiron e dytë të stinorit në Superligë, Peja do të jetë nikoqire e KB Prizrenit në “Karagaç”.