Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

RIKTHIMI NË BUNDESLIGËN AUSTRIAKE

Dionis Avdijaj zyrtarizohet te Wolfsberger

Dionis Avdijaj zyrtarizohet te Wolfsberger


30 June, 2025 @15:23

Sulmuesi 28-vjeçar që dikur ka qenë i rregullt te Kosova, Dionis Avdijaj, është zyrtarizuar sot te ekipi i tij i ri, Wolfsberger (shkurt: WAC). Ai ka nënshkruar kontratë deri në verë të vitit 2027 dhe ka siguruar fanellën me numër dhjetë për ekipin në fjalë.

Avdijaj kalon si lojtar i lirë prej Hartbergut, pasi që i përfundoi kontrata me këta të fundit. Ai në 103 paraqitje për Hartbergun shënoi 35 gola dhe 27 asistime. Rikthimi në Bundesligën austriake për Avdijajn pas stinorit 2015/16 llogaritet si ngritje në karrierë.

“Jam i lumtur që po filloj me ekipin e ri, WAC. Kam pasur biseda të frytshme me trajnerin e ekipit. Ai më bindi që do të përshtatem shpejt në sistemin që luan ekipi dhe shpresojmë në stinor 2025/26 të suksesshëm,” ka thënë Avdijaj.

“Kam pasur disa oferta, edhe jashtë Austrisë. Por, pasi që i shqyrtova detajisht, vendosa për Wolfsbergerin. Këtu, gjithçka më përshtatet. Klub i menaxhuar në mënyrë solide, me trajner shumë të mirë, ekip të fortë dhe me tifozë entuziastë. Tash mund të them se jam austriak, jo gjerman,” ka shtuar ai për faqen zyrtare të klubit të tij të ri.

Ndërkaq trajneri i WAC-ut, Dietmar Kühbauer, ka shtuar se nuk ka dyshim që Avdijaj do të përshtatet në pjesën ofanzive të ekipit.

“Dionisi është lojtar shumë i njohur në Austri dhe ka performuar mirë këtu. Ai gjithashtu është rritur si personalitet në vitet e fundit dhe definitivisht do të jetë ndihmesë për ekipin në aspektin ofanziv. Jam i kënaqur që kemi arritur të nënshkruajmë me të,” ka thënë Dietmar Kühbauer, trajner i Wolfsbergerit.

Përndryshe, WAC ka siguruar daljen në garat evropiane duke përfunduar i katërti në Bundesligën austriake dhe do të jetë një rast i mirë për Dionisit që t’i kthehet lojës së tij kur ka qenë i ri dhe kishte shumë pritje nga ai.


 
Të gjitha lajmet nga