OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik nr. 9 – Presioni olimpik
Shkruan: LUAN MORINA
16 February, 2018 @17:11
Letonezi Martin Dukurs, kampion i pesëfishtë i botës në skeleton dhe fitues i Kupës së Botës për 8 sezonet e fundit, me mbi 50 fitore në garat individuale, dështoi të marr të artën në Olimpiadën e skeletonit.
Dallimi me koreanin, Sungbin Yun pas tri rundeve të para ishte enorm, por, medalja e argjendtë ishte në xhep të letonezit.
Dukurs, 33 vjeçar, për një moment minimal humbi kontrollin mbi vijën e sajës të tij, duke humbur në shpejtësinë e cila me kalimin e distancës, në fund ndaloi në 0.09 sekonda pas britanikut Dom Parsons. E ky i fundit, ishte vetëm 0.02 sekonda pas rusit Nikita Tregubov.
Edhe më e ngushtë është distanca në luzh, aty ku pothuajse në mënyrë të njëjtë, legjenda e atij sporti, Felix Loch dështoi të marr medalje. Gjermani së paku ka medalje të artë olimpike. Martins Dukurs, vetëm të argjendtën. Si në Vancouver, ashtu edhe në Sochi.
Ngjashëm ndodhi edhe me Mikaela Shiffrin. Edhe pse më shumë se një dekadë më e re se Dukurs, Shiffrin ka dominuar Kupën e Botës këtë vit, derisa në sllallom ka fituar tri kampionatet e fundit të botës në sllallom, qysh në Schladming kur ishte vetëm 17 vjeçare.
Kësaj radhe pritej nga ajo të fitonte pos disiplinave teknike, edhe garën e Super G dhe kombinimit alpin për të arritur diçka që s’kishte arritur askush, katër të arta në një olimpiadë në skijim alpin. Presioni e bëri që të përfundoj garën e katërta në rundin e parë, e derisa udhëhiqte në rundin e dytë, një gabim minimal në pjesën e epërme të shtegut, e bëri që të humb shanset për të artën, përkundër rikuperimit.
E premtja solli dy medalje për Çekinë. Martina Sablikova kësaj radhe u desh të kënaqej vetëm me të argjendtën në 5000m për femrat, ndërkohë Eva Samkova, tashmë ka dy medalje olimpike përfshi një titull, edhe pse vetëm 22 vjeçare.
Në hokej mbi akull, Atletët Olimpik të Rusisë dhe SHBA-të u këndellën pas befasive në rrethin e parë. Britania e Madhe mori medaljen e parë në këtë Olimpiadë, derisa Koreja Jugore titullin e dytë olimpik. Titulli i dytë shkoi edhe për Italinë, derisa Bjellorusia vazhdoi të mbetet kampione olimpike në ajroret, kësaj radhe falë Hanna Huskovas. Frida Hansdotter mori një titull të merituar pas karrierës së saj të pasur, ndërsa Matthias Mayer dhe Beat Feuz dëshmuan se janë të vetmit që mund të ndalin dyshen norvegjeze në disiplinat e shpejtësisë në skijim alpin.
Disiplinat e shpejtësisë për femrat nisin nesër në ora 3, me garën e Super G. Më herët nisin finalet në patinazh artistik për meshkujt. Programi i lirë më të mirët pritet ti nxjerr mbi akull rreth orës 4, me japonezët Yuzuru Hanyu e Shoma Uno si favoritë kryesor. Javier Fernandez ka dominuar këtë sport në Evropë viteve të fundit, dhe medalja e artë olimpike ende mbetet në horizont për të.
Ndër garat më interesante të së shtunës është biathloni me startin masiv të femrave në ora 12:15. Më vonë, në ora 13:30 pritet të nis gara e kërcimeve me ski për meshkujt. Andreas Wellinger provon të përsërit suksesin që pati tek kërcimorja normale edhe në kërcimoren e madhe me kërcime rreth 140m.
Pasdite në program janë finalet në skeleton për femra, me rundin e katërt në ora 13:45, dhe patinazh i shpejtë në shtigje të shkurtra me finalet e femrave në 1500m dhe meshkujve në 1000m, rreth orës 13:00.
Ndër finalet e para të ditës është edhe ajo në slopestyle për femrat në skijim të lirë që nis në ora 5 në mëngjes. Stafeta e femrave në kros-kountri, 4x5km nis në ora 10:30.
Në hokej mbi akull tek femrat zhvillohen dy çerekfinalet – Atletët Olimpik të Rusisë kundër Zvicrës në ora 4:10, dhe Finlanda kundër Suedisë në ora 8:40. Por, qershia mbi tortë pa hokejistët më të mirë, është përballja klasike ndërmjet Atletëve Olimpik të Rusisë dhe SHBA-ve, tek meshkujt. Nis në ora 13:10.