OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Super Dario i bën katër të arta
16 February, 2018 @15:11
Zvicerani Dario Cologna është bërë skitari i parë në histori të Lojërave Olimpike që fiton tri herë radhazi garën në 15km.
‘Super Dario’ arriti këtë sukses pas fitores në garën e sotme në 15km që kësaj radhe u zhvillua në stil të lirë. Ai kaloi shtegun për 33:49.9 minuta, duke përfunduar para norvegjezit Simen Hegstad Krueger i cili ishte vonuar për 18.3 sekonda në këtë distancë. E bronzta i takoi Atletit Olimpik nga Rusia, Denis Spitsov, i cili ishte për 23 sekonda më i ngadaltë se Cologna.
Pos tre titujve në këtë disiplinë, zvicerani ka në sirtar edhe titullin në skiathlon nga Sochi, garë të cilën në PyeongChang e ka fituar Krueger i cili sot mbeti vetëm i dyti.
Garat në kros-kountri vazhdojnë nesër me stafetën e femrave 4x5km që nis në ora 10:30. E meshkujve është në program të dielën në ora 8:15, në distancë 4x10km. Suedia mbron të artat në të dy konkurrencat.