SPORTE OLIMPIKE
Abetare Olimpike: Kërcime me ski
Shkruan: LUAN MORINA
15 February, 2018 @16:18
Matti Nykanen në Kalgari më 1988 kishte qenë garuesi i parë që kishte fituar të dy garat në kërcime me ski – kërcimorja normale dhe ajo e madhe. Simon Amman ka bërë këtë dy herë – 2002 dhe 2010, derisa në Sochi polaku Kamil Stoch ka përsëritur suksesin e këtyre dyve.
Kërcimoret dallojnë me anë të pikës kritike – aty ku kodrina është më së pjerrëti dhe nis të marr një pozitë më të rrafshët. Kërcimorja normale këtë pikë e ka pasur në 90m, derisa ajo e madhja 120 metër. Arritja e kërcimeve në 90m dhe 120m në kërcimoret respektive shpërblen kërcimtarët me 60 pikë, duke shtuar bonusin për 1.8 pikë për çdo metër shtesë (në kërcimoren e gjatë 2.0 pikë). Në notim përfshihet edhe stili, ku secili nga pesë gjyqtarët mund të jap notën deri 20.0, me notën më të madhe dhe më të vogël të larguar nga rezultati përfundimtar.
Pikë kyçe tek notimi është aterimi i kërcimtarit, ku aterimi me të dy shputat në vijë paralele konsiderohet si dështim. Së fundmi në notim përfshihet edhe kompensimi varësisht prej erës dhe shkallës startuese. Në rast se ka erë të fuqishme ballore, garuesit mund të humbin pikë për shkak të kushteve të favorshme, derisa era shpinore u jep pikë shtesë pasi konsiderohet se shkurton distancën.
Gjithashtu startimi nga shkalla më e ultë, që në të kaluarën detyronte të gjithë të kërcenin nga e njëjta shkallë, u shton pikë kërcimtarëve ndaj atyre që kanë startuar nga shkallët më lartë që rrjedhimisht jep më shumë distancë për të marr hovin në kërcimore.
Çdo kombëtare ka nga katër garues maksimumin, me 50 garues në rundin e parë, e 30 më të mirët të kualifikuar për rundin e dytë. Tek femrat janë vetëm 30 garuese në të dyja rundet, pa kualifikime paraprake.
Gara ekipore tek meshkujt në kërcimoren e lartë përfshin çdo kombëtare me nga katër garues. Pas rrethit të parë – katër kërcimeve për kombëtare, vetëm tetë kombëtaret vazhdojnë garën për në rundin e dytë. Kërcimet e fundit, kërcimet e teta, ndërrojnë renditjen ku kombëtarja në pozitën e tetë starton e para, e kombëtarja më e mirë pas shtatë kërcimeve starton e fundit.
Meshkujt kërcejnë në kërcimoren normale dhe të madhe, femrat vetëm në të voglën. Meshkujt kanë edhe garën ekipore.
Kamil Stoch ka fituar Turneun e 4 Kërcimoreve dhe konkurron me Richard Freitagun për më të mirin e sezonit. Edhe Andreas Wellinger nga Gjermania mund të konsiderohet favorit me norvegjezët që i ndjekin të udhëhequr nga Tande, i cili bashkë me Forfangun, Johanssonin, Fannemelin e Granerudin kanë dominuar kërcimet ekipore këtë vit.
Tek femrat Carina Vogt mbron titullin, por kurrë nuk ka qenë në nivel të Sara Takanashit e Sarah Hendricksonit. Këtë vit, Maren Lundby është e mahnitshme në Kupën e Botës që e bën edhe favoriten kryesore për titull.