SPORTE OLIMPIKE
Abetare Olimpike: Skijimi alpin
Shkruan: LUAN MORINA
12 February, 2018 @21:00
Skijimi alpin është ndër sportet më të popullarizuara dimërore.
Sezoni i fundit ka kaluar nën dominimin total të Mikaela Shiffrin. Amerikania ka fituar pjesën dërrmuese të garave, jo vetëm atyre teknike ku është edhe kampione olimpike dhe botërore në sllallom, por edhe në garat e shpejtësisë si lëshimi e super-sllallomi i madh (Super G). Shiffrin mbron titullin nga Sochi në sllallom, por do të tentoj të fitoj medalje në të pesë disiplinat.
Në Sochi tek femrat dy tituj kishin shkuar për Tina Mazen, njërin nga të cilët e kishte ndarë me zviceranen Dominique Gisin (në lëshim ishin dy fituese), Anna Fenninger dhe Maria Hoefl-Riesch. Gjermanja, Gisin dhe Maze janë pensionuar, derisa Anna Fenninger (tani e martuar me mbiemrin Vieth) është larg formës.
Krejt kjo jep hapësirë për skitare të reja të synojnë tituj dhe medalje olimpike. Ndër to është edhe veterania Lindsey Vonn. Ajo ka dy tituj të fituar në Vancouver, derisa lëndimet e kanë mbajtur larg garave viteve të fundit, me këtë sezon të përdorur si këndellje. Sofia Goggia, Viktoria Rebensburg, Wendy Holdener e Lara Gut janë në mesin e favoriteve tjera, krahas Shiffrin.
Tek meshkujt, Marcel Hirscher ka fituar gjashtë Kupat e fundit të Botës. Austriani edhe pse dominon në disiplinat teknike, asnjëherë nuk ka fituar të artën olimpike. Këtë vit synon të marr të artën në sllallom (Mario Matt kishte fituar në Sochi) dhe në sllallom të madh (Ted Ligety në Sochi). Matt është pensionuar pas Sochit, derisa Sandro Viletta i cili kishte fituar garën e kombinimit, mbetet ndër misteret më të mëdha të Olimpiadave duke fituar pa asnjë podium në Kupën e Botës. Askush sikur ai nuk kishte ardhur ‘prej auti’ të marr të artën olimpike. Matthias Mayer mbron të artën në lëshim, derisa në Super G kjo i takon Kjetill Jansrud.
Norvegjezët, Jansrud dhe Svindal (i artë në Super G në Vancouver), zvicerani Feuz, italiani Paris, pritet dhe austriakët me Hannes Reichelt e Matthias Mayer pritet të konkurrojnë në disiplinat e shpejta. I vetmi që mund të konkurroj Hirscherin në garat teknike duhet të jetë Henrik Christoffersen.
Janë pesë disiplina në programin olimpik në sportin e skijimit alpin.
Lëshimi është më e shpejta dhe më e rënda. Aty do të garoj edhe garuesi i vetëm kosovar, Albin Tahiri. Disiplinë e shpejtësisë konsiderohet edhe Super G. Megjithatë këtu kërkohet më shumë zotësi teknike pasi duhet të kalohen nëpër porta që kërkojnë kthesa më të shpeshta dhe më të buta. Është disiplinë relativisht e re olimpike.
Sllallomi është disiplina më e shkurtër në distancë dhe më e zorshmja teknikisht. Kthesat janë të shpejta, dhe kohët mblidhen pas dy rundeve për të dhënë fituesin. Kthesa më të rralla dhe pak më e gjatë, por disiplinë teknike është edhe Sllallomi i Madh. Edhe këtu mblidhen dy kohë për kohën totale.
Gara e super-kombinimit përfshin një rund lëshimi dhe një rund sllallomi. Është gara që kërkon një balancë më të madhe dhe shpesh fitohet nga garues universal të cilët nuk janë dominues në sllallom apo lëshim.
Gara ekipore sjell 16 kombëtare me nga dy meshkuj e femra. Ata garojnë direkt me konkurrentët në shtigje paralele sllallomi. Fitues është kombëtarja me më shumë duele të fituara.