SPORTE OLIMPIKE
Abetare Olimpike: Hokej mbi akull
Shkruan: LUAN MORINA
12 February, 2018 @11:30
Kanadaja, e udhëhequr nga një ekip fantastik me Carey Price në portë, ishte bërë kombëtarja e parë që kishte mbrojtur të artën olimpike pas 20 viteve. Ata në finale kishin mposhtur Suedinë, derisa e bronzta kishte shkuar për Finlandën që me 5-0 kishin rrahur amerikanët.
Ndoshta kjo humbje ka ndikuar në bojkotimin e NHL-së të Olimpiadave. Mosmarrëveshjet ndërmjet këtyre dyja kanë ndikuar në Olimpiadën më të dobët në hokej mbi akull për më shumë se dy dekada.
Dallimi ndërmjet rregullave të NHL-së dhe Olimpiadës nuk është shumë i madh. Terrenet olimpike janë më të gjëra, ka penallti edhe në fazat finale (gjë që nuk ndodh në shtesat në playoffs në NHL), penalltia gjatë lojës së rregullt ekzekutohet nga cilido hokejist, jo nga ai në të cilin është bërë penalltia dhe dallime tjera më minimale.
Në PyeongChang, turneu i meshkujve nis më vonë se i femrave. Tek femrat tetë kombëtare janë të ndara në dy grupe nga katër ekipe. Në Grupin A janë SHBA-të, Kanadaja, Finlanda, Rusia; në Grupin B janë Suedia, Zvicra, Japonia, dhe Koreja e Bashkuar.
Kanadaja ka dominuar Olimpiadat duke fituar katër nga pesë Olimpiadat (për herë të parë hokeji mbi akull për femrat është shfaqur në vitin 1998). Në Sochi, për herë të parë ishin zhvilluar vazhdimet ku kanadezet kishin mposhtur SHBA-të. Këto të fundit janë kampione aktuale të botës, ku në finale kishin mposhtur pikërisht Kanadanë.
Tek meshkujt 12 kombëtare janë të ndara në tri grupe. Në Grupin A janë Kanadaja, Çekia, Koreja, Zvicra; në Grupin B janë Rusia, Sllovakia, Sllovenia, SHBA-të; dhe në Grupin C janë Finlanda, Gjermania, Norvegjia, e Suedia.
Suedia është kampione aktuale e botës, para Kanadasë dhe Rusisë. Kjo renditje është më reale, pasi pjesëmarrës në kampionatet botërore janë vetëm hokejistët e NHL-së, skuadrat e të cilëve janë eliminuar para fazës së playoffs, pasi kur mbahen kampionatet botërore, në NHL zhvillohen playoffs.