OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Shiffrin pa medalje në sllallom
16 February, 2018 @15:12
Ndër mënyrat e vetme që Mikaela Shifrrin të mos fitonte garat e sllallomit viteve të fundit ishte mos-përfundimi i garës. Por, në PyeongChang, Shiffrin përfundoi garën si e katërta, ku edhe ishte pas rrethit të parë.
Kampionia olimpike nga Sochi, dhe tri herë kampionia e botës në sllallom, mbeti 0.40 sekonda vonesë ndaj kampiones së re olimpike, suedezes Frida Hansdotter. Për 32 vjeçaren, një dekadë më të vjetër se Shiffrin, ishte kjo medalja e parë olimpike.
Ajo shtegun në PyeongChang e mbylli me kohë 1:38.63, duke mbetur vetëm 0.05 sekonda para lideres nga rundi i parë, zviceranes Wendy Holdener. Përgjatë gjithë rundit të dytë, zvicerania ishte gjithnjë në më pak se 0.05 sekonda vonesë karshi Hansdotter.
E bronzta i takoi skitares austriake Katharina Gallhuber, e cila kishte ‘fluturuar’ në rundin e dytë duke pasur kohë për së paku 0.69 sekonda më të mirë se të gjitha garueset. Gallhuber u ngjit nga pozita e nëntë pas rundit të parë, në kohë totale 0.32 sekonda më të vonshme se suedezja për të marr medaljen e bronztë.
Garat në skijim alpin për femra vazhdojnë të shtunën në ora 3 me garën e Super G. Titullin nga Sochi e mbron Anna Fenninger, tash Anna Veith e cila është larg formës së para katër viteve.