OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari olimpik nr.7 – Edhe një herë Albini
Shkruan: LUAN MORINA
14 February, 2018 @19:56
Erërat edhe njëherë patën fjalën e fundit në garat e skijimit alpin. Sllallomi i femrave u anulua, ngjashëm si gara në biathlon. Ndoshta edhe një ditë do të mund të ketë tolerancë për shtyrje duke pasur parasysh faktin që nga 11 garat e skijimit alpin, vetëm një është zhvilluar, me 10 ditë të mbetura deri në fund të Olimpiadës.
Për olimpikun e vetëm kosovar, Albin Tahiri, gara e fundit nis sonte në ora 3:30 me lëshimin e meshkujve i cili pas tri stërvitjeve është shtyrë për orët e para të së enjtes. Albini përfundoi i 37-ti në kombinim alpin, e përfundimi i garës në lëshim do të ishte sukses për të, sidomos në këso kushte jo aq të favorshme. Suksese për Albinin.
Në çfarë universi SHBA-të do të pësonin nga Sllovenia në hokej mbi akull?! Në atë univers ku lojtarët e ligës NHL nuk janë të pranishëm. E larguar nga Olimpiadat për shkaqe të cekëta kapitaliste, NHL do të duhej të ndihej krenare për këtë që ndodhi të mërkurën në PyeongChang. E si do të duhej të ndiheshin amerikanët?!
Krenarë me medaljen e 100të të artë në Lojërat Olimpike Dimërore. Nuk kishte emër më ideal se ai i Shaun White për të sjell këtë nder me titullin e tij të tretë në garën e halfpipe. E tash, White 31 vjeç, niset në një mision tjetër – të marr medalje olimpike në garat e skateboardingut që do të organizohen pas dy viteve në Olimpiadën Verore në Tokio.
Me njëqind të arta në Olimpiadat dimërore, SHBA-të mbesin në pozitën e dytë, mbrapa Norvegjisë që ka 121 medalje të arta. Në këtë renditje, Gjermania e Rusia vijnë të vetme pa numëruar të artat që kanë fituar të ndara Gjermanitë, dhe Bashkimi Sovjetik, me të cilat të dyja do të ishin mbi amerikanët e edhe Norvegjinë.
Derisa atletët Olimpik të Rusisë nuk po kanë suksese akoma këtë Olimpiadë, gjermanët po vazhdojnë të kryesojnë renditjen e medaljeve me shtatë medalje të arta e 12 në total. E mërkura solli titullin e dysheve në luzh dhe të parin në kombinim nordik. Me kërcimet me ski dhe biathlonin në pritje, gjermanët presin të arrijnë numër dyshifror të medaljeve të arta.
Për Holandën ishte një ditë tjetër e zakonshme në patinazh të shpejtë me titullin e Jorien Ter Mors, duke qenë hera e parë që vetëm një flamur holandez valon në podium në këtë Olimpiadë.
Biathloni dhe skijimi alpin u shtynë duke ngarkuar orarin vijues, apo për fansat e mëdhenj duke mbushur edhe më shumë finale ditët e mbetura. Ishte një ditë e varfër në krahasim me ditët e kaluara, për këtë arsye e enjtja pritet të shpaguaj mungesën. Nëse lejon era.
Pos garës së Albinit, lëshimi në ora 3:30, në program janë edhe tetë finale tjera.
Luzhi mbaron Olimpiadën me finalen ekipore në ora 13:30, me finalen e fundit të ditës së enjte. Gjermania është favorite absolute në këtë garë. E finalja e parë është në program në ora 2:30 kur nis programi i lirë i çifteve në patinazh artistik. Kinezët Sui dhe Han ishin të mahnitshëm. Me të vetmet shanse për të larguar nga froni kampionët aktual botëror, duken të jenë rusët Tarasova dhe Morozov.
Sllallomi i madh i femrave nis në ora 2, me rundin e dytë në ora 5:45. Rebensburg duket të jetë e vetmja që do të sfidoj Shiffrinin. Snoubord krosi i meshkujve nis në ora 5:30; gara në 10km në skijim nordik për femrat në ora 7:30, e gara në 10km në patinazh të shpejtë në ora 12. Ndërmjet kësaj gare, janë finalet e biathlonit në konkurrencën individuale që për çdo cak të humbur shton 1 minutë në vend të një rrethi dënimi për garuesit. Femrat nisin në ora 9:15, meshkujt në ora 12:20.