OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik Nr.6 – Histori verdhekaltër
Shkruan: LUAN MORINA
13 February, 2018 @18:06
Kombinimi alpin është një nga detyrat më të vështira në skijimin alpin. Për të marr një rezultat pozitiv nga dy gara të këtilla që zhvillohen çdo sezon (rrallëherë tri sosh), nevojitet të jesh një skitar me aftësi të mëdha teknike për të dominuar sllallomin dhe zotësinë për të përballuar shpejtësinë e lëshimit.
ALBIN TAHIRI
E kuptueshme që të dyja disiplinat në garën e kombinimit alpin janë më pak të zorshme se disiplinat individuale, por kjo nuk nënvlerëson përkushtimin që nevojitet për të marr medalje… për të përfunduar garën.
Mayer, Krieschmayr, Paris, Fill, që të gjithë ishin në mesin e dhjetë më të mirëve pas lëshimit, asnjëri nuk ia doli të përfundoj sllallomin. Svindal, i dyti pas lëshimit, nuk startoi fare. Albin Tahiri përfundoi garën me 16.88 sekonda vonesë që e vendosën në pozitën e fundit prej 37 vetave që kishin përfunduar sllallomin. Por, të kujtojmë që në garë ishin 63 veta.
HISTORI PËR 10 VJETOR
Vet përfundimi i garës së kombinimit alpin është sukses. Albini ka arritur suksesin më të madh që do të mund të arrinim në një Olimpiadë ku kemi një sportist, tre veta të shtabit teknik, dhe pesëmbëdhjetë zyrtar qeverisës të cilët për njëzet vite nuk kanë bërë për sportin as 3% që bëri Albini.
Albini shkroi historinë në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit tonë. Shkroi historinë verdhekaltër në Lojërat Olimpike Dimërore.
CURLING
Në këto Lojëra u dha edhe medalja e dytë ekipore ta quajmë. Kanadaja fitoi bindshëm garën e kurlingut në çifte të përziera. Në finalen e kësaj gare që debutoi në PyeongChang, Kanada mposhti Zvicrën që siguroi medaljen e parë.
Këto dy kombëtare po dominojnë garat edhe në hokej mbi akull për femrat. Kanadaja ka dy fitore nga dy ndeshje në grupin A, njëjtë si SHBA-të. Të njëjtin sukses në grupin B kanë Zvicra dhe Suedia, duke shtruar për momentin një finale të ngjashme si kjo që ishte të martën në kurling.
HOKEJ NË AKULL
Derbi evropian në hokejin e femrave zhvillohet të mërkurën në ora 4:10, derisa në ora 13:10 nisin garat në hokej mbi akull për meshkuj. Sllovakia dhe Atletët Olimpik të Rusisë matin forcat në kuadër të grupit B, ku në të njëjtën kohë, SHBA-të presin Slloveninë.
PROGRAMI
Finalja e parë e ditës së mërkurë zhvillohet në ora 3:30. Është radha për SHBA-të të rendisin edhe një të artë, kësaj radhe me legjendarin Shaun White i cili ndjek titullin e tretë pas fitoreve në Torino dhe Vancouver.
Ditën për SHBA-në mund ta stolis edhe më shumë Mikaela Shiffrin me fitoren eventuale në sllallom. Amerikania ka dominuar skijim alpin tek femrat këtë vit, sidomos garën e sllallomit ku është favorite absolute.
Kombinimi nordik me garën në 10km nis në ora 9:45 me Eric Frenzelin favorit përballë krejt ekipit suedez, derisa Gjermaninë e presin edhe dy medalje të arta eventuale – biathloni i femrave në konkurrencën individuale në ora 12:05 me Dahlmeier favoriten kryesore, dhe dyshet e meshkujve në luzh me garën që nis në ora 13:30.
Edhe Holanda shpreson të vazhdoj të artat me garën në 1000m për femra në patinazh të shpejtë. Në ora 2, nis programi i shkurtër për çifte në patinazh artistik.
Gjermania vazhdon të kryesoj renditjen e medaljeve me pesë të arta nga nëntë medalje në total. Holanda ka dhjetë në total, me katër të arta, të gjitha në patinazh të shpejtë. Norvegjia, Kanadaja, e SHBA-të kanë nga tri të arta.