OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Edhe tri medalje për Holandën
13 February, 2018 @14:57
Ka vazhduar dominimi holandez në garat e patinazhit të shpejtë, edhe në ditën e katërt të Lojërave Olimpike në PyeongChang.
Sot, dy medaljet më të vlefshme i takuan holandezëve në garën 1500m. Kjeld Nuis, kampioni aktual i botës në këtë disiplinë, shtoi në koleksionin e tij edhe të artën olimpike pas kohës 1:44.01 të arritur në duelin e katërmbëdhjetë të ditës. Dhjetë duele më herët, bashkëkombësi i tij Patrick Roest kishte arritur kohë me vonesë 0.85 sekonda, e cila në fund rezultoi të jetë e mjaftueshme për pozitën e dytë. E bronzta i takoi atletit korean, Seok Min Kim, i cili garën e mbylli 0.92 sekonda pas Nuis.
Korea për një çast pati medalje edhe në garën e patinazhit në shtigje të shkurtra. Rekordmenja olimpike, Minjeong Choi pasi përfundoi finalen si e dyta u përjashtua për shkak të shkurtimit të shtegut.
Pas kësaj penaltie, Yara Van Kerkhof siguroi medaljen e parë olimpike për Holandën në sportin e patinazhit në shtigje të shkurtra, duke u ngjitur nga e argjendta në të bronztën. E bronzta i takoi kanadezes Kim Boutin.
Ndërsa italianja Arianna Fontana, pas të bronztës në Vancouver, dhe të argjendtës në Sochi, në PyeongChang ia doli të marr të artën në 500m patinazh në shtigje të shkurtra pasi udhëhoqi garën që nga fillimi.
Garat në patinazh në shtigje të shkurtra vazhdojnë të shtunën në drekë me finalet e femrave në 1500m dhe meshkujve në 1000m.
Ndërkohë në patinazh të shpejtë, garat vazhdojnë të mërkurën në ora 11:00 me femrat në 1000m.