OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik Nr. 5 –Gjermanët mbi të gjithë
Shkruan: Luan Morina
12 February, 2018 @21:12
Pas Olimpiadës më të dobët që nga bashkimi i Gjermanisë, asaj në Sochi kur kishin arritur vetëm 19 medalje, prej të cilave 8 ishin të arta, Gjermania ka arritur gjysmën e këtij rezultati pas vetëm tri ditëve të garave në PyeongChang. Është starti më i mirë për Gjermaninë pas 46 viteve (po, prej Mynihut më 1972)
Edhe pse kanë paraqitje dëshpëruese në njërin nga sportet e tyre të preferuara në Olimpiada – patinazhin e shpejtë, gjermanët po dominojnë biathlonin ku deri tani kanë fituar tri të arta, dhe kërcimet me ski ku kanë tashmë një kampion e një nënkampione olimpike. Skijimi alpin, pos këtyre dy disiplinave mbetet si një sport tjetër ku mund të shtrihet dominimi gjerman, porse rënia nga kreu i listës së medaljeve është vetëm çështje kohe me SHBA-të që ende nuk kanë aktivizuar Mikaela Shiffrinin, me Kanadanë në sportet ekipore dhe Norvegjinë në kros-kountri.
Curling
Dita e tretë solli një gjysmëfinale interesante në kurling, tek çiftet e përziera. Rusët lëshuan nga dora finalen duke lëshuar më gjatë se që duhet gurin e fundit në lojë. Zvicra dhe Kanadaja, dy kombëtaret më të mira në këtë disiplinë ndeshen nesër në finale në ora 12:05. Për ata që nuk kanë parë kurlingun, iu rikujtoj që është një lloj shahu.
Finalet më interesante pritet të jenë një orë më vonë, në ora 13:25 dhe 13:34. Garat në sprintin klasik, çerekfinalet nisin në ora 12:00, me pesë grupet çerekfinale dhe dy gjysmëfinalet në të dyja konkurrencat.
Finalja e parë e ditës është në snoubord me amerikanet Chloe Kim, Arielle Gold, e Kelly Clark në mesin e favoriteve kryesore. Finalja nis në ora 2 të mëngjesit.
Albin Tahiri
Më në fund pritet të nisin edhe garat në skijim alpin. Pas shtyrjes së garës në sllallom të madh për femra, dhe lëshimit të Albin Tahirit, i bie kombinimit të meshkujve për të hapur Olimpiadën në këtë sport. Favorit nuk ka për shkak se gara e kombinimit kërkon një lëshim të mirë dhe një sllallom teknikisht të shkëlqyeshëm për të dhënë një kohë kampioni. Lëshimi nis në ora 3:30, sllallomi në ora 7 të mëngjesit, pas të cilit edhe do të mësojmë kampionin e parë në skijim alpin. Kuptohet nëse nuk ndërhyjnë erërat e forta.
Pas debaklit të Felix Loch tek meshkujt, Gjermania provon të mos lëshoj asnjë medalje tek femrat në luzh. Natalie Geisenberger vazhdoi formën e shkëlqyeshme edhe në dy rundet e para, duke përfunduar para bashkëkombëses Dajana Eitberger, me Tatjana Huefner në pozitën e katërt. Alex Gough, kanadezja, i ndan këto trija me pozitën e tretë, dhe ka edhe dy runde për të mbajtur shpresën për medalje. Rundi i tretë nis në ora 11:30, për të vijuar menjëherë me rundin final që përfshin njëzet sportistet më të mira.
Holanda vazhdon të dominoj patinazhin e shpejtë, dhe nesër në 1500m për meshkuj do të përballen me sfiduesit më serioz deri tani – treshen norvegjeze Johansson, Henriksen, Pedersen. Finalja nis në ora 12:00, dhe në program janë gjithsej 18 duele që pritet të marrin rreth dy orë me pauzën pas pjesës së parë.
Nesër kthehet edhe patinazhi i shpejtë në shtigje të shkurtra. Në program është gara në 500m për femra, me finalen që pritet të nis rreth orës 13.
Pas tri ditëve, listës së medaljeve i prinë Gjermania me 7 medalje (4 të arta, 1 të argjendtë, e dy të bronzta), e ndjekur nga Holanda me po ashtu 7 medalje (3-2-2).