OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik Nr. 4 – Fuqia e erës
Shkruan: LUAN MORINA
11 February, 2018 @19:48
Derisa organizatorët e Lojërave Olimpike në PyeongChang kanë zgjedhur problemin e mungesës së borës me investime rreth 5 milionë eurove në 250 pushka bore të cilat furnizojnë me borë mbi 80% të terreneve olimpike në këtë Olimpiadë, ata nuk kanë mundur të zgjedhin një problem tjetër – erërat e fuqishme.
Si rrjedhojë, Olimpiada për Albinin do të vazhdojë deri të enjten. Atëherë është paraparë të zhvillohet gara e lëshimit për meshkuj, e cila është shtyrë për shkak të erërave të fuqishme. Këto erëra rrezikojnë edhe garën e sllallomit të madh të femrave që është në program të hënën në mëngjes.
E hëna është dita më e ngarkuar deri tani në Olimpiadën e PyeongChangut. Tetë finale janë në program, krahas sllallomit të madh të femrave. Kjo garë është ndër më të hershme në program sipas kohës tonë – rundi i parë në ora 2:15, i dyti në ora 5:45.
DITA E GJERMANËVE
E diela ishte dita e Gjermanisë, përkundër dështimit të Felix Loch në luzh. Peiffer fitoi medaljen e artë në sprintin e biathlonit, të cilin sukses e ka zor ta përsërit të hënën në garën e ndjekjes. Femrat, ku Laura Dahlmeier veçohet në mesin e favoritëve nisin garën në ora 11:10, meshkujt në ora 13:00.
Krahas finaleve, në program janë edhe gjysmëfinalet në çiftet e përziera në kurling. Norvegjia siguroi biletën e fundit në luftë për medalje duke mposhtur Kinën në ndeshjen suplementare. Ata takohen me Kanadanë në ora 1:05, derisa në gjysmëfinalen tjetër Atletët Olimpik të Rusisë presin Zvicrën në ora 12:05.
PATINAZH ARTISTIK
Valentina Marchei dhe Ondrej Hotarek ishin të mahnitshëm të dielën në mëngjes në programin e shkurtër të valltarëve në patinazh artistik. Falë pozitës së tyre të dytë dhe nëntë pikëve që i sollën Italisë, sa edhe Carolina Kostner, italianët janë në luftë për medalje me tri gara të mbetura në program. Ata kanë 35 pikë, një më pak se SHBA-të që gjenden në pozitën e tretë, dhe katër më pak se Rusia që renditet e dyta pas rekordit olimpik të Evgenia Medvedevas në programin e shkurtër. Kanadaja zor që do të lëkundet nga pozita e parë pas paraqitjes pothuajse të përkryer të Tessa Virtue e Scott Moir, që e ngjitën Kanadanë në 45 pikë.
PROGRAMI
Tri programet e lira që përfshijnë nga pesë garues (katër përfaqësueset e lartpërmendura dhe Japoninë që renditet e pesta me 32 pikë) nisin në ora 2 me meshkujt, vazhdojnë në ora 3:10 me femrat, dhe në ora 4:20 mbyllen me valltarët.
Katharina Althaus ka fituar stërvitjen e tretë të kërcimeve me ski për femra të premten. Gjermania ka qenë në formë të mirë të premten, porse Maren Lundby mbetet favorite kryesore për titullin e vetëm tek femrat në këtë sport. Edhe Carina Vogt ka qenë relativisht e mirë në tri rrethet e stërvitjes, dhe nuk do të duhej të përjashtohej nga lufta për titull. Gara e kërcimeve me ski nis në ora 13:50, gjithnjë e varur prej fuqisë së erërave.
Rrethi i tretë në slopestyle në snoubord është anuluar. Finalistet do të kenë mundësinë të shfaqin paraqitjen e tyre më të mirë në vetëm dy runde, të cilat nisin në ora 2:00 dhe 2:33.
Finalja tjetër vjen në orët e drekës, në ora 13:30, kur nisin garat në 1500m patinazh të shpejtë.