OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Edhe sprinti i meshkujve për Gjermaninë
11 February, 2018 @15:13
Shtatë vite pasi kishte fituar medaljen e vetme individuale në gara të mëdha, Arnd Peiffer ia doli të marr të artën olimpike. Ajo erdhi ngjashëm si në Kampionatin Botëror më 2011 në Khanty-Mansiysk, në disiplinën e sprintit në 7.5km.
Gjermani shtegun e kaloi për 23:38.8 minuta, duke mos gabuar asnjëherë në të shtëna. Të dhjetë caqet i qëlloi edhe çeku Michal Krcmar, i cili përmirësoi suksesin e Çekisë nga Sochi, kur të bronztën në sprint e kishte fituar Jaroslav Soukup. E bronzta i takoi italianit Dominik Windisch i cili kishte pasur një cak të humbur që rezultoi me vonesë prej 7.7 sekondave ndaj Pfeiffer, dhe 3.3 sekonda ndaj Krcmar.
Favoriti kryesor, Martin Fourcade mbaroi vetëm i teti me 22.1 sekonda vonesë, pas tri gabimeve në rundin e parë të qitjes. Edhe më i dobët ishte favoriti tjetër, Johannes Thingness Boe i cili do të nis garën e ndjekjes me 1:12.7 minuta pas Peiffer.
Garat e ndjekjes në të dy konkurrencat zhvillohen të hënën, ora 11:10 femrat dhe ora 13:00 meshkujt. Edhe tek femrat, gara e sprintit i kishte takuar Gjermanisë me fitoren e Laura Dahlmeier.