OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Befasi në luzhin e meshkujve
11 February, 2018 @15:15
Austriaku David Gleirscher befasoi të gjithë duke fituar të artën në konkurrencën individuale në sportin e luzhit. Medalja e parë e artë për Austrinë në PyeongChang erdhi pasi Gleirscher fitoi garën e parë në karrierë me kohë prej 3:10.702.
Ditë historike ishte edhe për SHBA-të, të cilat falë Chris Mazdzer, i cili mbeti 0.026 sekonda pas Gleirscher, siguruan medaljen e parë individuale në luzh gjatë historisë së tyre kombëtare. E bronzta shkoi për Johannes Ludwig nga Gjermania.
Kampioni i dyfishtë olimpik, dhe gjashtë-herë kampioni botëror, Felix Loch që ishte favorit absolut pas tri rundeve të para, dështoi në pjesën finale të rundit të fundit kur goditi të dyja muret e shtegut që i ngadalësuan hovin duke e bërë të përfundoj 0.266 sekonda larg austriakut, kohë e mjaftueshme vetëm për pozitën e pestë.