OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Tinejxheri fiton në snoubord
11 February, 2018 @12:54
Ndoshta prindërit e tij kanë qenë fansa të Liverpool që kanë emëruar të birin e tyre Red duke pasur mbiemrin Gerard, e ndoshta është vetëm një rastësi që intrigon fansat e Liverpoolit kur dëgjojnë këtë emër.
Larg supozimeve, Redmond Gerard, 17 vjeçari nga SHBA-të siguroi të artën në disiplinën e slopestyle në snoubord. Ai paraqitjen më të mirë e pati në serinë e tretë të finales duke aterruar me një siguri të shkëlqyeshme që me 87.16 pikë e vendosi në krye të renditjes.
Kanadezi Max Parrot i cili u lëshua i fundit, arriti të afrohej në 86.00 pikë në serinë e tretë, për tu kënaqur vetëm me të argjendtën, derisa bashkëkombësi i tij, Mark McMorris nuk arriti të bëj më shumë se 85.20 pikë sa kishte marr në serinë e dytë pas të cilës udhëhiqte.
Me këtë titull, amerikani bëhet snoubordisti më i ri me të artë olimpike. Ndërsa finalja e femrave në këtë disiplinë, zhvillohet nesër në ora 2:00 në mëngjes.