EDONI NË ITALI

Foto: scafatibasket.com
Edon Maxhuni zyrtarizohet te ekipi italian
29 January, 2025 @15:21
Basketbollisti me origjinë nga Kosova, Edon Maxhuni, që mbanë edhe pasaportë finlandeze, është zyrtarizuar sot si lojtar i ri i Scafati Basket në Serie A të Italisë.
“Givova Scafati ju njofton se ka transferuar basketbollistin Edon Maxhuni, playmakeri finlandez, vjen me përvojë nga Strasbourgu i elitës së basketbollit francez,” është thënë në njoftimin për afrimin e ekipit italian.
Scafati që aktualisht drejtohet nga treajneri Marco Ramondino është i fundit në renditjen tabelare të Serie A-së, me bilanc 4-13. Vetë trajneri italian ka pasur fjalë të mira për transferin e ri të ekipit.
“Falenderoj klubin që ka bërë edhe një përpjekje për t’i dhënë ekipit të gjitha mjetet e nevojshme për tu rritur edhe më shumë dhe për të vazhduar me përmirësime të nevojshme për pjesën finale të stinorit, duke ditur rëndësitë e ndeshjeve,” ka thënë Ramondino fillimisht për faqen zyrtare të klubit, scafatibasket.com.
Për më tepër, ai ka shtuar: “Jemi të bindur se lojtari me përvojë dhe me aftësi të dëshmuara në lojë me top dhe pa top si Maxhuni, do të ndihmojnë në rritjen e nivelit të ekipit dhe basketbollit funksional. Mezi presim të fillojmë punën me të dhe ta integrojmë sa më shpejtë në ekip.”
I lindur në Hyvinkaa të Finlandës, Maxhuni 26-vjeçar ka bërë karrierë në HBA Marsky, pastaj Gran Canaria, Parnu Sadam, Heroes Den Bosch, Crailsheim Merlins, ESSM Le Portel dhe së fundi në SIG Strasbourg. Përndryshe, ai është pjesë e rregullt e reprezentacionit finlandez të basketbollit.