DEKLARATA E TRAJNERIT TË YLLIT
Flevarakis: Pikët tregojnë arsyen e fitores
5 November, 2023 @23:43
Trajneri i Yllit, Kostas Flevarakis, ka thënë se ndalja e Trepçës u bë duke i pamundësuar atyre të shënojë shumë pikë, siç e ka zakon. Në deklaratën e tij dhënë pas fitores në “Minatori” ai ka thënë se ekipi i tij është në rrugë të duhur, por ka edhe shumë punë për të bërë.
“Nuk ishim ne që nuk u dorëzuam, por ishte Trepça që nuk u dorëzua, pasi që ne ishim në pjesën më të madhe të ndeshjes në epërsi. Trepça ka mesatare mbi 90 pikë për ndeshje, ndërsa sonte shënuan 68 pikë bashkë me vazhdimet - mendoj se kjo tregon të gjithën. Gjatë ndeshjes ne nuk ishim aq të mirë, së pari me tresha përkundër hapësirës që krijohej, shutuam diku rreth 17% saktësi, pastaj Sirko na u lëndua pak, por… po, ekipi ynë është luftarak dhe po ecim në rrugë të mbarë, por kemi edhe shumë punë për të bërë,” ka thënë trajneri grek i ekipit suharekas.
Ylli me këtë fitore, ka mbyllur ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës me bilanc 3-4, duke përfunduar në pozitë të katërt të renditjes tabelare vetëm falë koshdallimit aktual, pasi që edhe dy ekipe tjera kanë bilanc të njëjtë, por qëndrojnë nën Yllin.