Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KËNDI I BLERIMIT

Ka basketbollistë dhe ka Llull!

Fotot për ilustrim, SergioLlull/fb

Ka basketbollistë dhe ka Llull!


Shkruan: Blerim Myftiu

23 May, 2023 @14:11

Sergio Llull Melià ka shënuar 2 pikë në finalen të dielës në Kaunas dhe atë 3 sekonda para përfundimit të ndeshjes. Statistikisht e dhënë e zbehtë, kurse krahasuar me karrierën e tij, plotësisht katastrofike. Mirëpo çasti në të cilin janë shënuar janë përtej apokaliptikes dhe më afër fantastikes, ngase kanë qenë vendimtare për Realin e Madridit ta thellojë epërsinë në listën e titujve të fituar të Evropës – të bëjë gjithsej 11. Sivjet, pak kanë qenë ndeshjet në të cilat Llulli ka qenë në parket më shumë se 10-15 minuta. Mirëpo, tok me moçanikët e tij, Sergio Rodriguezin dhe Rudy Fernandezin, janë paraqitur në çastet vendimtare dhe e kanë bartur klubin e tyre që prej çerekfinales, ndeshje pas ndeshjes, rikthim pas rikthimi, në agimin e karrierave të tyre të bujshme.

Sergio Llull

Interpretimi i Llullit filloi nga ndeshja e dytë e serisë çerekfinale kundër Partizanit, ku në duelin e dytë në terrenin vendës, duke qenë e qartë se Reali e humbiste ndeshjen e dytë dhe avantazhin e terrenit dhe atë psikologjik, 100 sekonda para përfundimit të ndeshjes bëri një faul të ashpër, të qëllimshëm, josportiv, jashtëbasketbollistik ndaj lojtarit më të mirë të kundërshtarit, Kevin Panterit. Në mënyrë mjeshtërore dhe profesionale, pa u përfshirë në kacafytjen e mëtejme, ia hodhi paç për vete, por ia doli që Panterin e Lessortin e beogradasve ta eliminonte nga loja e tretë dhe e katërt, përkatësisht të tretën për të dytin. Ritmi i humbur i Partizanit vazhdoi dhe pas dy fitoreve në Arenën beogradase para mbi 20 mijë shikues, ndërkaq rikthimi prej -18 në ndeshjen e pestë me performansën e mësuar të treshes nuk ishte i parealizueshëm.

Sergio Llull

Barcelona në gjysmëfinale e shijoi në lëkurën e vetë, shkopin e përsosur të dirigjimit të Rodriguezit, që në çerekun e fundit ishte i pandalshëm, enigmë për katalanasit – loja nën udhëheqjen e të cilit i solli mbretërit në mejdan të ekipit më të mirë të sezonit, Olympiacosit.
Në këtë aspekt, Olympiacosi mbetet ekipi më koherent, me vazhdimësi dhe stabil i stinorit. Po të shënonte Kostas Sloukasi në shutin e fundit, po të shkonte trofeu në Pire, do ta kishte vendin po ashtu të merituar. Edhe loja e nivelit të MVP-së i Sasha Vezenkovit me 29 pikët e shënuara ishte e pamjaftueshme. Gabimet mund të analizohen. Mosfutja në lojë e Canaanit gjatë tërë çerekut të tretë kur ishte lojtari që i realizoi mbi 78% të gjuajtjeve për 3 pikë apo mbajtja në stol e Papanikolaout gjatë çerekut të katërt duke ditur rolin e tij në mbrojtje, mund të ishin gabimet e vogla të Bartzokasit, por gjithsesi nuk e zbeh pasqyrën që la Olympiacosi dhe finalen e merituar të stinorit, që mbase me pak shtesa e bën atë sërish pretendent për titull vitin që vjen.

Sergio Llull

As Barcelona, as Oly, nuk gjetën çelës për mbrojtjen e zonës së Realit dhe as nuk arritën plotësisht ta ndalin gjigantin e sjellshëm dhe modest, 221 centimetër të gjatë, Walter Tavaresin. Përjashtimi i Yabuseles dhe lëndimi i Poirierit e kishin lënë vetëm Tavaresin në trapez, por stinorin dhe veçanërisht Final-fourin e karrierës e luajti kroati Mario Hezonja, që në parket kaloi nga 34 minuta në dy ndeshjet e fundit. Kontributi i tij në mbrojtjen si të pozitës 3 ashtu edhe 4, si edhe preciziteti i lartë sidomos në pjesën e parë të finales e shndërroi atë në një pjesë të rëndësishme të ekipit madridas.

Real Madrid

Kurrë nuk mund ta anashkaloni as Causeurin, i cili doli nga naftalina dhe me 11 pikë shënoi 3 treshe, në çaste vendimtare, që gjithmonë Realin e mbanin në hap. Çka të thuhet kur në dy minutat e fundit Olympiacosi nuk shënon? Brenda minutës së fundit Rodriguezi nga pozita e vështirë shënon treshe, driblimi i Llullit në sulmin e fundit, piku i luajtur për mrekulli me Tavaresin, lëshimi në cep të trapezit dhe përkundër gjigantit Fall, arrihet që pak centimetra mbi gishtat e tij, me atë trajektore tipike të lartë llulliane hidhet topi dhe bie sikur të jetë porositur në rrjet, janë fotografi sekuenciale të paharrueshme!

Trajneri Chus Mateo arriti të dilte nga hija dhe këpucët e Pablo Lasos, të lartësojë dhe shënojë emrin e tij afër të mëdhenjve të zanatit të trajnerit. Edhe pse tërë stinorin luajti pa treshen historike Llull-Rodriguez-Fernandez, u mundua që lojën ta ndërtojë mbi Tavaresin, Musën, Deckun e Hezonjën, në fund treshja nuk tregoi hatërmbetje. Tregoi se kishte ende atë atom të paktë energjie, atë zemër luani, që të jepte gjithçka nga vetja, për një titull të ri kampioni të Evropës.


 
Të gjitha lajmet nga