YLLI MPOSHT BASHKIMIN

Pamje nga arkivi
Kapiteni shkëlqen në fitoren e kampionit
5 February, 2023 @19:03
Kampioni i Kosovës, Ylli, me lojën dominuese të kapitenit të ekipit Gëzim Morina, ka shënuar fitore ndaj Bashkimit në përballjen e luajtur sonte. Morina kreu ndeshjen me 23 pikë e 7 kërcime, për tu bërë koshashënuesi më i mirë i duelit të së dielës, të cilën Ylli i Adis Beciragicit e fitoi ndaj prizrenasve me rezultat 75-58.
Pjesa e parë ishte vendimtare në këtë ndeshje, ku Ylli e kaloi 20-minutëshin e parë të ndeshjes me 19 pikë dallim, 46-27. Në pjesë të dytë, rikthimi për Bashkimin ishte “mision i pamundur”.
Pos Gëzimit, Henrik Sirko u dallua te Ylli me 18 pikë, ndërsa Rashun Davis dha 15 pikë. Chris Harris dominoi nën kosh, duke kapur 18 kërcime, derisa shënoi 4 pikë gjatë ndeshjes. Valon Bunjaku standard, ndaj ish-ekipit dha 10 pikë, 5 asistime e 5 kërcime.
Te Bashkimi nuk punuan snajperët. Nga 22 tentime për tri pikë, vetëm 4 u shënuan për të pasur një përqindje që lë për të dëshiruar, 18% saktësi. Samardo Samuels kreu lojën me double-double, 18 pikë e 12 kërcime, ndërsa Daniel Lekndreaj e Dajuan Graf dhanë nga 11 pikë.
Fitorja, bën që Ylli të bëhet me bilanc 16-5 dhe për momentin të jetë i dyti në renditje, ndërsa Bashkimi i pestë, ka bilanc 9-12.