ISTOGU - VELLAZNIMI

Lideri vazhdon ecurinë perfekte
3 December, 2021 @21:26
Skuadra lidere e Ligës së Parë në basketboll, Vëllaznimi, ka vazhduar ecurinë perfekte në kampionat, duke e shënuar edhe fitoren e tetë të stinorit nga po aq ndeshje.
Viktimë e kuqezinjëve sonte ka qenë ekipi i Istogut, që ka regjistruar humbjen e tretë të stinorit karshi pesë fitoreve që i ka, ndërsa gjakovarët kanë fituar ndeshjen me 16 pikë dallim, 68-84 [18-26, 13-14, 19-18, 18-26].
Qendra e ardhur këtë stinor në ekip, Besnik Azemi me përvojën e tij ka kryer ndeshjen me double-double. Azemi ka shënuar 17 pikë e 14 kërcime në lojë, ndërsa Atik Koshi ka dhënë 23 pikë, 6 asistime e 8 kërcime në lojë.
Me double-double ndeshjen ka kryer edhe Bardhi Rexha që dha 18 pikë e regjistroi 16 kërcime për ekipin gjakovar.
Te Istogu më i dalluari në humbje ka qenë Orges Shatri me 16 pikë të shënuar dhe 10 kërcime të arritura përgjatë 36 minutave sa ishte në fushë të lojës.