BASHKIMI E VËLLAZNIMI DEBUTOJNË!
Liga Unike fillon, 2 grupe, me rezultatet e llogaritura nga ligat!
17 December, 2024 @21:39
Pa ndonjë njoftim paraprak për mënyrën e garës dhe si, Liga Unike ka bërë të ditur sot se nesër fillojnë ndeshjet e xhiros së parë të stinorit të ri në këtë ligë basketbolli ku marrin pjesë ekipet e Kosovës dhe Shqipërisë.
Kësaj radhe Liga Unike është e ndarë në dy grupe, me nga katër ekipe.
Në Grupin A bëjnë pjesë: Besëlidhja, Bashkimi, Teuta dhe Vëllaznimi, ndërsa në Grupin B bëjnë pjesë: Prishtina, Vllaznia, Ylli dhe Tirana.
Përballjet e xhiros së parë të Ligës Unike janë:
GRUPI A
E mërkurë
17:00 Besëlidhja-Bashkimi
18:00 Teuta-Vëllaznimi
GRUPI B
E mërkurë
19:00 Sigal Prishtina-Vllaznia
19:00 Golden Eagle Ylli-Tirana
Ndërkaq, në tabelën e grupeve shihet se aty janë veçse të llogaritura ndeshjet nga përballjet e skuadrave nga ligat e njëjta, ku transferohen rezultatet edhe në këtë ligë. Kështu, Besëlidhja dhe Vëllaznimi kanë nga një fitore në Grupin A, karshi Teutës dhe Bashkimit, pasi që janë llogaritur duelet e ciklit të dytë të Superligës së Kosovës!
Pra renditja aktuale në Grupin A është: Besëlidhja 1-0, Vëllaznimi 1-0, Bashkimi 0-1 dhe Teuta 0-1.
Ndërkaq i njëjti sistem është paraqitur edhe në Grupin B të Ligës Unike, ku Tirana dhe Prishtinan kanë nga një fitore, karshi Vllaznisë dhe Yllit, duke pasur parasysh se janë llogaritur rezultatet e xhirove përkatëse.
Kështu, renditja aktuale në Grupin B është: Tirana 1-0, Prishtina 1-0, Ylli 0-1 dhe Vllaznia 0-1.
Për dy ekipet e Kosovës, Bashkimi dhe Vëllaznimi - ky është stinor debutues në Ligë Unike dhe mbetet të shihet se si do të mbarëvajë stinori i ri i kësaj lige që ka të zbehur interesin. Gjithashtu, nuk është dhënë asnjë njoftim pse aty nuk po merr pjesë Trepça, që është kampione aktuale e fituese e Kupës së Kosovës në stinorin e kaluar!
Kujtojmë, në edicionin e parë të Ligës Unike 2020/21 liga u luajt në formë turneu, ku brenda javës Ylli fitoi dhe mori trofeun e parë të ligës. Në mënyrë të njëjtë shkoi edhe edicioni i dytë që e fitoi Peja (2021/22).
Edicioni 2022/23 nuk u luajt pasi që ekipet nga Shqipëria u tërhoqën! Ai i stinorit të kaluar 2023/24 u luajt gjithashtu si turne, ku në Vlorë triumfoi Trepça për të ngritur edhe ajo këtë trofe!