PRISHTINA TËRHIQET NGA LIGA UNIKE!
Prishtina nuk e sheh të arsyeshme të luajë ndeshjen për vend të tretë!
30 March, 2024 @17:42
Skuadra e Prishtinës është kthyer nga Vlora dhe ka lënë garat një ditë para përfundimit të Final 8 të Ligës Unike. Ekipi bardhekaltër nuk ka arritur të sigurojë finalen e Ligës Unike, ku u mposht nga Trepça. Ndërsa nesër, të dielën është dashur të zhvillojë ndeshjen për vend të tretë në Ligë Unike ndaj Pejës.
Por, klubi bardhekaltër ka menduar ndryshe dhe ka ndezur autobusin për kthim, duke mos qëndruar fare për të luajtur ndeshjen e fundit sipas rendit dhe thjesht duke mos respektuar garën ku mori vetë pjesë. Përmes një komunikate të lëshuar pak më parë, Prishtina ka thënë se ka agjendë të ngjeshur dhe se ka shumë lëndime në ekip për shkak të së cilës ka kërkuar mirëkuptim.
“Me ndeshjen e djeshme përfundoi edhe rrugëtimi ynë në Ligën Unike.
Me tërë mbingarkesën e udhëtimeve të gjata dhe ndeshjeve të shumta brenda pak ditësh, megjithatë klubi ynë vendosi që të marrim pjesë në këtë event të organizuar nga FBK dhe FSHB me kryetar z.Avni Ponarin i cili njëkohësisht është kryetar i kompanisë SIGAL, sponzorit besnik të klubit.
Skuadra sot ka mbërritur në Prishtinë me ç‘rast nuk e kemi parë të arsyeshme të luhet ndeshja për vendin e tretë pasi që na pret një agjendë edhe më e ngjeshur e ndeshjeve gjatë ditëve në vijim (6 ndeshje në 12 ditë). Kalendari i ndeshjeve në vijim:
3 prill: Prishtina - Vëllaznimi (Superligë)
5 prill: Prishtina - Peja (Liga Ballkanike)
7 prill: Prishtina - Vëllaznimi (Çerekfinale)
9 prill: Vëllaznimi - Prishtina (Çerekfinale)
Final 4 - Liga Ballkanike (në Qipro)
12 prill: Ndeshja gjysmëfinale
14 prill: Ndeshja finale
Klubi ka analizuar edhe situatën e lëndimeve të shumta gjatë muajve të fundit që vijnë pikërisht nga këto shkaqe, prandaj dhe kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve tanë.
Falenderojmë organizatorët, Ligën Unike dhe qytetin e Vlorës për mbarëvajtjen dhe mikpritjen gjatë eventit të Final 8 - Liga Unike.”