MITROVICASIT ELIMINOJNË PRISHTINËN
Trepça për herë të parë në finale të Ligës Unike!
30 March, 2024 @0:02
Treshja e Mikaile Tmusicit kur kishin mbetur edhe 54 sekonda lojë, bëri që Trepça të dalë në epërsi ndaj Prishtinës 82-80, ndërsa në sekondat e mbetura bardhekaltërit regjistruan një top të humbur dhe një tentim të pasuksesshëm për tre pikë, karshi një gjuajtjeje të lirë në anën tjetër për të përfunduar ndeshja 83-80, kurse mitrovicasit vazhduan serinë e pamposhtshmërisë ndaj Prishtinës në të gjitha garat këtë stinor.
Trepça ka arritur për herë të parë në finale të Ligës Unike, kësaj radhe që po mbahet në formë turneu Final 8, ndërsa Prishtina u eliminua në gjysmëfinale të garës, ku më parë nuk mirrte pjesë. Kjo ka qenë hera e parë që Prishtina po merr pjesë në Ligën Unike.
Trepça në finale do të ndeshet me Yllin, që gjatë ditës mposhti Pejën. Ylli ka arritur në finalen e tretë me radhë të garës, ndërsa njëherë e ka fituar atë.
Darnell Edge me 19 pikë dhe 8 asistime ka qenë instrumental në fitoren e “minatorëve” të shënuar në “Flamurtari” të Vlorës, ku po zhvillohet Final 8, ndërsa me double-double ndeshjen e kreu Devonte Upson që pos 16 pikëve bëri edhe 11 kërcime në fitoren ekipit. Tmusic, shutoi 4/7 për tre pikë, ndërsa lojën e kreu me 14 të shënuara.
Te Prishtina, pos dyshes së zakonshme Donte Clark dhe Diamond Stone, kësaj radhe ndezi edhe Malcolm Armstead. Ky i fundit kreu lojën me 21 pikë, ndërsa nuk pushoi për asnjë sekond në lojë. Clark luajti me 24 të shënuara, ndërsa Stone pos 20 pikëve bëri edhe 7 kërcime, por humbi 8 topa!
Finalja e Ligës Unike luhet të dielën, ku Trepça dhe Ylli do të kërkojnë trofeun e ligës që kësaj radhe po mbahet në formë turneu, me katër ekipet më të mira të gjysmëstinorit të parë të këtij edicioni në liga përkatëse. Për kuriozitet, ekipet nga Kosova eliminuan të gjitha ekipet nga Shqipëria në çerekfinale. Gjithashtu, para finales së orës 19:00, në ora 16:00 do të luhet përballja për vendin e tretë ku takohen humbësit e gjysmëfinaleve, Peja dhe Prishtina.