MUNGESË E MADHE!
Derrick Wilson do t’i mungojë Prishtinës, për shkak të lëndimit
28 March, 2024 @13:32
Basketbollisti amerikan, më i dalluari te Prishtina qe dy stinorët e fundit, Derrick Wilson ka pësuar një lëndim në përballjen e fundit të ekipit bardhekaltër në kuadër të BIBL në Limasol të Qipros dhe për këtë do të mungojë për rreth 2-3 javë në parket!
Njoftimin e ka bërë pak më parë KB Prishtina, ndërsa Wilson me këtë humb ndeshjet e Final 8 të Ligës Unike si dhe përballjen e fundit të bardhekaltërve në kuadër të stinorit të rregullt. Ai pritet të kthehet në përballjen e fundit çerekfinale të playoffit të Superligës.
“Gjatë ndeshjes së fundit në Qipro ndaj AEL-it lojtari ynë Derrick Wilson ka pësuar një lëndim në krah dhe pas ekzaminimeve radiologjike dhe sipas raportit të mjekut, pritet t’i mungojë skuadrës për 2-3 javë.” - bëri të ditur KB Prishtina sot.
Ndërkaq, në dyshim është paraqitja e tij në Final 4 të BIBL, që mbahet në Limasol të Qipros prej 12 deri më 14 prill, data këto që mbulojnë ditët e fundit të rikuperimit të lojtarit.
Wilson, më i dalluari te Prishtina, mesatarisht këtë stinor në Superligë ka luajtur me 13.1 pikë për ndeshje, 6 asistime e 5.2 kërcime. Ai cilësohet si njëri ndër playmakerët më të mirë të Superligës në dy vitet e fundit.