FINALJA DRAMATIKE I TAKOI MITROVICASVE
Edge vendimtar, Trepça për herë të parë fiton titullin e Ligës Unike!
31 March, 2024 @23:39
Trepça ka ngadhënjyer në finalen dramatike të Ligës Unike ndaj Yllit, duke fituar me një pikë dallim, 66-67 dhe atë më një treshe të shënuar nga amerikani i tyre, Darnell Edge.
Ndeshja kishte shumë kthesa në rezultat, ndërsa në pjesë të parë Ylli dy herë arriti epërsi 13 pikëshe, kurse Trepça u kthye në lojë për të shkuar në pushim pjesëlojësh me 33-34.
Ylli në pjesë të dytë me Alonzo Verge fantastik arriti epërsinë 60-47. Ndërsa prej këtij momenti Trepça me Mikaile Tmusicin dhe Edge-in kryesisht, tregoi pse nuk po mposhtet fare në Superligë, duke fituar ndeshjen në sekondat e fundit, 66-67.
Edge luajti 35 minuta ndërsa dha 25 pikë, 2 asistime e 3 kërcime në fitoren ekipit, duke shutuar 5/10 për tre pikë me 50% saktësi. Mikaile Tmusic dha 16 pikë, në rreth 35 minuta sa ishte në parket, duke bërë edhe 1 asistim e 6 kërcime. Reprezentuesi i Kosovës shutoi 4/10 për tre pikë.
Devonte Upson dhe Drilon Hajrizi dhanë nga 5 pikë secili, ndërsa Upson bëri 12 kërcime, e Driloni 2 asistime e 6 kërcime në këtë fitore, që ia dha Trepçës për herë të parë titullin e Ligës Unike.
Ylli, që arriti finalen e tretë rresht në tre finalet ekzistuese të kësaj lige, pësoi për herë të dytë në finale. Ekipi i drejtuar nga Petar Mijovic ishte shumë afër triumfit, mirëpo në fund Jan Palokaj s’arriti të shënojë treshen në sekondat përfundimtare, në 6 sekondëshin e fundit të mbetur të ndeshjes.
Alonzo Verge ka qenë fantastik te Ylli. Ai dha 28 pikë bëri 4 asistime e 7 kërcime në ndeshje. Valon Bunjaku dha 11 pikë, ndërs shutoi 3/3 për tre pikë. Pandërprerë luajti kapiteni Gëzim Morina që për 40 minuta lojë bëri 9 pikë, 2 asistime e 8 kërcime në këtë përballje.
Kujtojmë, dy edicionet e para Liga Unike u zhvillua në formë kampionati, ndërsa në edicionin e tretë të saj u luajt në formë turneu si Final 8, ku garuan katër ekipet më të mira të gjysmëstinorit në Shqipëri e katër të tjera të Kosovës. Këto të Kosovës, mposhtën të gjitha ekipet e Shqipërisë në çerekfinale, për të bërë katërshen e madhe - kosovarçe.
E Trepça me titullin e parë të kampionit të fituar tashmë në vitrinat e klubit ka shtuar edhe një trofe tjetër që nuk e ka pasur më herët, ndërsa këtë stinor 2023/24 ekipi fitoi edhe Kupën e Kosovës të zhvilluar në shkurt, e në fillim të stinorit edhe turneun e Superkupës së Kosovës.