PRISHTIAN MBETET PA DYSHEN!
Maccabi Rishon zyrtarizon dy lojtarët më të dalluar të huaj të Prishtinës
18 December, 2024 @11:37
Skuadra izraelite, Maccabi Rishon ka zyrtarizuar dy basketbollistët e huaj të dalluar të Prishtinës. Përmes njoftimeve të lëshuara në rrjetet sociale të ekipit, Facebook e Instagram, Maccabi Rishon ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me amerikanët e Prishtinës.
Damiree Burns dhe Qua Grant janë dy basketbollistë të rinj të ekipit izraelit prej dje edhe zyrtarisht. Në njoftim, Maccabi Rishon ka bërë të ditur se Burns ka luajtur për Prishtinën me 16.2 pikë për ndeshje dhe 13.3 kërcime për lojë, ndërsa Qua Grant me mesatare prej 23.5 pikëshe 6 kërcimesh për ndeshje.
Nga Prishtina, nuk është dhënë ndonjë njoftim ende lidhur me largimin e dyshes në fjalë që kanë qenë ndër më të dalluarit në ekip, ndërsa pritet të shihet se me kë do të zëvendësohen Burns e Grant.
Prishtina aktualisht është e pesta në renditjen e Superligës me bilanc 6-5 pas 11 ndeshjeve të luajtura. Gjithashtu, ekipi ka arritur të plasohet në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës duke eliminuar Pejën në çerekfinale. Bardheakaltërit këtë stinor pos garave vendore, janë paraqitur që të luajnë edhe në Ligën Unike, që nis sot.