FITORE E BARDHEKALTËRVE!
Prishtina në sekondën e fundit mposhti Vllazninë
18 December, 2024 @20:24
Prishtina ka arritur t’i shpëtojë për pak befasisë! Ekipi bardhekaltër ka mposhtur Vllazninë e Shkodrës sonte në kuadër të Grupit B të Ligës Unike, duke e fituar ndeshjen ne shutin e fundit, kur Cory Reeves solli fitoren për ekipin e Murat Bilges, 85-84. Si vendase, Prishtina luajti sonte në “Sezai Surroi” të Prizrenit.
Vllaznia është treguar arrë e fortë, duke pasur parasysh mungesat e Prishtinës me ikjet e lojtarëve më të mirë të huaj të ekipit drejt Maccabi Rishonit. Por në fund, Prishtina ka arritur të përmbledhet dhe të sigurojë fitoren, edhe pse në mënyrë dramatike.
Muhamedali Janjeva dhe Rashad Williams kanë qenë më të dalluarit sa i përket pikëve të shënuara te Prishtina sonte. Janjeva dha 19 pikë në fitore, ndërkaq Williams 17 të shënuara.
Te Vllaznia nuk kanë mjaftuar pikët e dyshes Dyquavis Wilkins e Maurice Walton, që bashkë dhanë 50 pikë! I pari shënoi 27 i dyti 23 pikë.
Me fitore, Prishtina bën bilancin 2-0 në Grupin B, ndërkaq Vllaznia 0-2.