TIRANA - TREPÇA

Fotot: FBK & KBTrepça/ fb
Me 40 pikë dallim, Trepça fiton Superkupën Mbarëkombëtare
6 October, 2022 @22:11
Pasi që finalja para finales u luajt mbrëmë ndaj kampionit të Kosovës Ylli, Trepça sonte ka marshuar drejt trofeut të Superkupës Mbarëkombëtare të Ligës Unike duke e fituar Tiranën bindshëm në finale me 40 pikë dallim, 52-92 [15-38, 18-21, 8-23, 11-10]. Borozani.com
Dominimi total i ekipit të drejtuar nga Ljubomir Minchev u pa që nga minutat e para të ndeshjes dhe kështu, dilema nuk kishte se kush po e fiton trofeun që pas 10-minutave të para të lojës.
Erjon Kastrati tregoi cilësitë e tij menjëherë, ndërsa në rreth 17 minuta sa ishte në parket shënoi 16 pikë, 3 topa të rrëmbyer, 1 asistim dhe 2 kërcime, duke shutuar 3/4 për tri pikë.
Me double-double te Trepça luajti Clevon Brown Jr që shënoi 10 pikë e 11 kërcime në rreth 21 minuta sa ishte në lojë.
Përndryshe Minchev shfrytëzoi rastin dhe u dha minutazhë të gjithë lojtarëve në dispozicion, derisa minimumi i një lojtari në parket ishin 6.20 minuta ku Rinol Gashi arriti të regjistrojë një kërcim në këtë duel për përvojë.
Me nga 12 pikë ndeshjen e kryen Drilon Hajrizi e Adam Grant, ku i pari bëri edhe 6 kërcime e 2 asistime në këtë fitore dhe trofe të parë në nismë të stinorit të ri.
Ndalja e Endrit Hysenagollit në 2 pikë, ka qenë ndoshta arsyeja kryesore e fitores së thellë të mitrovicasve, derisa i përmenduri shënoi vetëm 2 pikë karshi 12 kërcimeve që i bëri në ndeshje.
Më efikasi te Tirana ishte Seta Brown-Carter me 15 pikë të shënuara e 2 asistime, kurse Red Vogli dha 12 pikë e bëri 7 kërcime.
Me këtë fitore, Trepça fiton Superkupën Mbarëkombëtare, duke shtuar edhe një trofe në epokën e Minchevit në klub, ndërsa është interesant fakti se ekipi nuk ka marrë pjesë fare në stinor të rregullt përgjatë edicioneve të kaluara të garës dhe mori pjesë në Superkupë!