Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

RRESHTOJNË FITORET!

Fitorja e tretë me radhë për Dritën

Fitorja e tretë me radhë për Dritën


28 September, 2024 @21:46

Drita ka vazhduar formën e mirë edhe sot, duke e mposhtur Dukagjinin në Klinë me golat e ardhur vonë në ndeshje. Pas pjesës së parë pa gola dhe pjesës më të madhe të periudhës së dytë të lojës, qetë, 15 minutëshi i fundit i ndeshjes ka qenë fatal për vendasit. Përndryshe, të dy golashënuesit kanë hyrë në duel si zëvendësime, lëvizje të bëra nga Ramadani këto gjatë pjesës së dytë të takimit!

Me një kombinim të shkurtë në zonë, Arb Manaj ka gjetur Kastriot Selmanin që ka shënuar për epërsinë e gjilanasve, ndërsa rreth 10 minuta më vonë ka qenë Blerim Krasniqi që i ka dhënë fund dilemave të fituesit, për përfundimtaren: Dukagjini - Drita 0-2 [Kastriot Selmani 77’, Blerim Krasniqi 86’].

TABELA AKTUALE

Dukagjini ka pasur dy raste të mira për shënim para se të pranojë gol. Së pari ka qenë Ebrima Jatta që ka goditur furishëm nga 16 metra drejt portës së Faton Malokut, të cilën ky i fundit e mbrojti me sukses (57’). E më pas (67’) Altin Merlaku shutoi nga zona prej të djathtës, mbi portë!

Për Dukagjinin e drejtuar nga Ismet Munishi kjo është humbja e tretë me radhë. Ekipi ka në total pesë disfata nga shtatë ndeshje të luajtura dhe ka mbetur në 6 pikë të fituara më parë, ndërsa është në pozitën e shtatë të renditjes aktualisht.

Drita e Zekirija Ramadanit, që ka dy ndeshje më pak të luajtura në shtatë xhiro, me 12 pikë po i afrohet kreut.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga