KOSOVA U18 @ EURO DIV C
Me fitore, dalin të pestit në europian
9 July, 2017 @15:10
Basketbollistët e Kosovës U18 kanë arritur të shënojnë fitore në ditën e fundit të Kampionatit Europian U18 të Divizionit C që po zhvillohet në Qipro.
Kosova U18 ka shënuar fitore të lehtë ndaj Armenisë U18 në këto çaste, për të përfunduar turneun në vend të pestë të klasifikimit të përgjithshëm, kur kanë mbetur të zhvillohen vetëm edhe ndeshjet për medalje.
Fitorja e Kosovës nuk ka ardhur fare në dyshim sot, pasi që, që në çerekun e parë djelmoshat e drejtuar nga Dritëro Sefaja kanë arritur epërsi 6 pikëshe, për të shkuar në pushim ndërmjet pjesëve me 19 pikë, pasi që çerekun e dytë e fituan 28-15.
Kjo mjaftoi që shpresat e Kosovës të luajnë pjesën e dytë më komod dhe të rrugëtojnë drejt fitores, duke arritur vendin e pestë në këtë garë, ku në finale më vonë luajnë Norvegjia-Qipro, ndërsa për vend të tretë, Molldavia-Malta.
Më efikasit në fitoren e sotme për Kosovën kanë qenë: Gazzali Makasqi dhe Dardan Kapiti me nga 15 pikë të shënuara, ndërsa pikë dyshifrore kanë shënuar edhe Atik Koshi, 12 dhe Andi Vrapçani, 11.
Kapiti ndeshjen e përfundoi me double-double prej 15 pikëve dhe 12 kërcimeve, ndërsa Makasqi shtoi 9 kërcime e 7 asistime në performancën e tij.
Në Europianin e Divizionit C kanë marrë pjesë: Armenia, Qipro, Gjibraltari, Kosova, Malta, Molldavia, Norvegjia dhe San Marinoja.