KOSOVA - LUKSEMBURGU
Mposhtemi nga Luksemburgu, vazhdojnë gjasat për kualifikim
18 February, 2021 @21:00
Kosova ka pësuar humbje ndaj Luksemburgut me rezultat 89-99, në ndeshjen e cila u zhvillua në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2023.
Dardanët hapin në rezultat e humbën sidomos në 3-4 minutat e fundit pasi që kur dallimi ishte vetëm 2 pikë, 84-86, filloi shpërqëndrimi në momentet më vendimtare të lojtarëve tanë.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi kryesisht me dominimin e kundërshtarit, derisa te Kosova u vërejt loja e dobët në mbrojtje dhe loja individuale në sulm.
Rikthimi në lojë erdhi në çerekun e tretë, ndërsa shtytës ishte sidomos loja e mirë e Meriton Ismailit dhe amerikanit të natyralizuar Divine Myles, të cilët në momente të ndryshme shënuan pikë të njëpashnjëshme duke mundësuar edhe krijimin e epërsisë.
Kjo lojë e mirë vazhdoi edhe në fillimin e çerekut të katërt, por më pas energjia e lojtarëve filloi të harxhohej, duke mundësuar shpesh edhe pikë të lehta për kundërshtarin, i cili fundin e ndeshjes e priti me epërsi komode për të siguruar fitoren.
Myles ishte koshashënuesi më i mirë te Kosova me 21 pikë, mirëpo efikasiteti i tij në lojë nuk ishte edhe aq i kënaqshëm pasi shënoi vetëm 9 herë prej 19 tentimeve nga loja. Pikë dyshifrore shënuan edhe Erjon Kastrati (13) dhe Dardan Berisha (12).
Te Luksemburgu loja kompakte e ekipit u shpërfaq edhe në listën e koshashënuesve, pasi që 5 lojtarë shënuan pikë dyshifrore. Më meritori në fitore ishte Clancy Rugg i cili ishte i pandalshëm duke luajtur me double-double prej 22 pikëve dhe 17 kërcimeve. Kontribut të rëndësishëm po ashtu dhanë edhe Oliver Vujakovic me 19 pikë dhe Alex Laurent e Ben Kovac me nga 18 pikë secili.
Vlen të ceket se në këtë ndeshje trajneri i Kosovës, Christos Marmarinos, i dha hapësirë të gjithë lojtarëve që i kishte në dispozicion, duke mundësuar edhe debutimin për të riun Denis Zenelaj, i cili u angazhua në 25 sekondat e fundit të ndeshjes.
Gjasat për kualifikim
Me këtë humbje Kosova tani ka bilanc prej 2 fitoreve dhe 3 humbjeve, aq sa kanë edhe Sllovakia dhe Luksemburgu. Për të siguruar kualifikimin tutje, Kosova duhet të fitojë patjetër ndeshjen e radhës kundër Sllovakisë që do të luhet pas dy ditësh, si dhe të shpresojë në humbjen e Luksemburgut përballë Islandës, ku kjo e fundit tashmë ka siguruar kualifikimin.
Ndeshja e radhës kundër Sllovakisë do të luhet më 20 shkurt në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.