PAS HUMBJES, FLET PAVIC

Pavic: Nëse ka pak gjasa, domethënë ka gjasa
5 April, 2021 @11:53
Trajneri i Vëllaznimit, Branimir Pavic, në deklaratën e tij pas humbjes nga Prishtina mbrëmë ka thënë se ekipi i tij ka bërë gjithçka në lojë, por thjesht fitorja nuk erdhi.
Vëllaznimi kishte në momente epërsi prej 10-pikësh, por në çerekun e fundit pësuan 17-30 për t’ia dhënë fitoren prishtinasve, 76-79.
“Në çerekun e katërt nuk shutuam saktë. As nga gjuajtjet e lira, as për dy e as për tre pikë. Humbëm topa dhe lejuam pikë të lehta për kundërshtarin,” ka thënë kroati Pavic pas ndeshjes.
“Lojtarët kanë qenë të motivuar që nga fillimi. Ndeshja ka qenë e ngushtë në rezultat në secilin moment. Ata bënë gjithçka për të fituar,” ka shtuar ai.
Ndërsa, sa i përket gjasave të vogla për mbijetesë të Vëllaznimit në Superligë, pasi që u mposht nga Prishtina mbrëmë, ai ka thënë se derisa ka gjasa, ka edhe shpresë për ekipin.
“Nëse ka pas gjasa, domethënë ka gjasa. Ne do të luajmë lojën tonë dhe do të kërkojmë fitore. Të tjerët, do t’i shohim,” ka përfunduar trajneri 41-vjeçar i Vëllaznimit.