PEJA - TREPÇA

Peja e kompletuar, fiton ndaj Trepçës në Karagaç
28 March, 2021 @18:32
Skuadra e Pejës, e paraqitur më në fund me përbërje komplete, ka shënuar fitore në Karagaç duke e mposhtur Trepçën me rezultat 84-76.
Në krye të pejanëve u rikthye kryetrajneri Dragan Radovic që mungoi në disa ndeshje për shkak të infektimit me Covid-19, derisa në përbërje të lojtarëve u rikthye Beqë Kovaqi. Ndërkaq mitrovicasit mungesën e Ivan Koljevicit të larguar e mbuluan me amerikanin Dillon Smith.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me dominimin e pejanëve, të cilët krijuan epërsi dyshifrore deri në 15 pikë (52-37), ndërsa në pjesën e dytë mitrovicasit treguan lojë më të mirë duke u afruar në rezultat, por jo edhe aq sa për t’i befasuar vendasit.
Tandemi Dardan Berisha - Lis Shoshi shkëlqeu te verdhezinjtë. Berisha luajti me 24 pikë, derisa Shoshi pati një pikë më pak, por me efikasitet 5-5 nga vija e trepikëshit.
Në anën tjetër, te Trepça më i miri ishte Dino Butarac me 21 pikë të shënuara.
Me këtë fitore Peja tani ka 40 pikë me 14 fitore dhe 12 humbje, derisa Trepça e pësoi humbjen e 16-të, për t’u renditur në pozitën e gjashtë me 36 pikë.