Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHQIPONJAT NË FINALE

Peja eliminon kampionin dhe siguron finalen e PlayOffit

Fotot: FBK

Peja eliminon kampionin dhe siguron finalen e PlayOffit


22 April, 2023 @23:08

Në ndeshjen e katërt të serisë gjysmëfinale të PlayOffit të Superligës, Peja ka siguruar finalen e garës. Verdhezinjtë mysafirë janë treguar më të mirë se kampionët aktual të Superligës në ndeshjen e katërt të serisë të zhvilluar në 13 qershori të Suharekës sonte për të fituar duelin me 10 pikë dallim, 90-100 [13-30, 19-20, 38-25, 20-25].

Përkundër epërsisë së thellë të arritur në çerek të parë të ndeshjes nga Peja, Ylli u rikthye në lojë dhe që në sekondat e para të çerekut të fundit të ndeshjes afroi rezultatin në 73-75 kur kapiteni i tyre Gëzim Morina kishte shënuar tresh. Peja e bëri 73-76, ndërsa pas kësaj nisi një seri e mossaktësisë së kampionëve, kur Henrik Sirko nuk shënoi dy herë, Gëzim Morina një, ndërsa Malcolm Armstead e Wes Washpun gjithashtu s’shënuan, derisa në anën tjetër David Joseph dhe Arian Qallaku goditën me treshe për të bërë rezultatin 75-82.

Malcolm Armstead

Në këtë moment ndeshja u “këput” përsëri për Yllin dhe kur kishin mbetur edhe 7 minuta e 21 sekonda lojë, Peja mori krahë për të mos lejuar edhe një afrim të tillë në rezultat nga ekipi i drejtuar nga Adis Beciragic për të shkuar te fitorja dhe me rezultatin 1-3 të mbyllë këtë seri për të siguruar finalen e PlayOffit. Me sigurimin e finales, Peja iu rikthye finaleve pas një viti pauzë, ndërsa të fundit në stinorin 2020/21 e kishin humbur nga Ylli me 3-0!

PLAYOFF SKEMA

Qallaku pos treshes që mundësoi ikjen e Pejës në rezultat përsëri në çerek të fundit, ishte edhe koshashënuesi më i mirë i ndeshjes. Ai dha 22 pikë, ndërsa bëri edhe 6 kërcime në fitore. Qendra Brad Waldow dhe aloja Jalen Tate kryen lojën me double-double, ku i pari dha 17 pikë e 13 kërcime, ndërsa i dyti 12 pikë e 11 kërcime në fitore.

Arti Hajdari @ Peja

Te Ylli, që me sonte mbylli stinorin 2022/23 dhe humbi mundësinë për të bërë hat-trick titujsh kampioni, pas dy titujve të fituar në dy sezonet e fundit, më efikasi ka qenë Bashir Ahmed që dha 21 pikë, ndërsa bëri edhe 13 kërcime për të kryer lojën me double-double. Kapiteni Gëzim Morina dha 20 pikë, ndërsa bëri edhe 7 kërcime në ndeshjen ku luftoi mjaft, kurse Henrik Sirko dha 15 pikë, por ato s’mjaftuan për të çuar serinë në ndeshjen e pestë dhe vendimtare.

Peja në finale do të pret fituesin e gjysmëfinales Prishtina-Trepça, ku aktualisht prishtinasit janë në epërsi 2-1, ndërsa dueli i radhës luhet të dielën në Minatori për të parë nëse seria përfundon aty, apo do të bartet në vendimtaren që do të luhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga