PAS SUPER-SERISË FINALE
Peja kampione e Kosovës, fiton serinë super-dramatike 3-2!
18 May, 2023 @22:32
Peja është kampione e Kosovës, pasi që fitoi serinë finale me 2-3 në seri, në një super seri që përfundoi me dramë pas vazhdimeve. Ky është titulli i parë i tyre kampion që prej vitit 2013.
Për të përcaktuar fituesin e titullit kampion të Kosovës nuk kanë mjaftuar 5-ndeshje të rregullta të serisë, por është dashur që kjo vendimtarja të shkojë në vazhdime.
Trepça nuk ka fituar titullin që prej vitit 2012, ndërsa Peja që prej vitit 2013. Sonte vetëm njëra do të fitonte. E Peja me pikët e Brad Waldow 1.2 sekonda para fundit të duelit shënoi për fitore, pas vazhdimeve 91-93. Tentimi i fundit i Trepçës nga Kendrick Brown, nuk gjeti koshin dhe kështu Peja nisi festën. Festën e nisi, por në zhveshtore, pasi që filluan menjëherë hedhjet e gjësendeve në fushë nga publiku mitrovicas, drejt lojtarëve pejanë. Ndërsa ceremonia për trofe do të mbahet pasi që të zbrazet palestra.
Peja ka fituar titullin e shtatë të kampionit të Kosovës.
Sa i përket ndeshjes, ka qenë tejet interesante ndërsa asnjëra nuk mund të bënte largim të madh në rezultat. Maksimalen që arriti Trepça ka qenë 6 pikë, ndërsa Peja 8 pikë. Dallimi ka qenë tepër i vogël mes dy skuadrave, ndërsa në vazhdime Pejës pak më shumë ia deshti, derisa Trepçës i munguan dy më të dalluarit e kohës së rregullt, Drilon Hajrizi e Jamel Artis që u larguan me nga 5 gabime personale.
Peja ka qenë shumë afër ta fitojë duelin në kohë të rregullt, kur në 2 sulmet e fundit të saja David Joseph dha një tresh me faul shtesë si dhe një tresh tjetër. Por në sekondat e fundit, kur verdhezinjtë kishin epërsinë 75-77 ka qenë Amin Hot që ka dalë shpëtimtar i xehetarëve, për të barazuar ndeshjen dhe për ta çuar atë në vazhdime.
Pjesa e parë e ndeshjes kishte vetëm dy pikë dallim mes ekipeve, 34-36. Pas çerekut të tretë gjithçka ishte e barabartë, 58-58. Çereku i fundit, secili top i rëndësishëm, ndërsa Rami Hadar shfrytëzoi rishikimin për një aut, ku doli të kishte të drejtë dhe fitoi një top për ekipin e tij, të cilin gjyqtarët e kishin dhënë në të mirë të Trepçës. Fundi i ndeshjes, në kohë të rregullt i gjeti ekipet me 77-77.
Në vazhdime, gjithçka e hapur dhe luftë për secilën pikë, deri në fund. Kur shutin e rikthyer nga Joseph, Waldow e shtyen në kosh për fitore 91-93.
David Joseph me 21 pikë, 5 asistime e 2 kërcime ka qenë më efikasi te Peja në finalen e fundit, të pestën e serisë. Brad Waldow kreu ndeshjen me double-double prej 20 pikëve dhe 10 kërcimeve, kurse Jalen Tate dha 16 pikë, 6 asistime e 8 kërcime - e krejt në fund u përjashtua për teknike josportive dhe gabimin e pestë personal. Kapiteni i shqiponjave Arti Hajdari dha 10 pikë e 5 kërcime.
Drilon Hajrizi, Will Daniels e Mikaile Tmusic kanë bërë gjithçka sonte për ekipin e tyre. Hajrizi jashtëzakonisht luftarak ka dhënë 21 pikë, 4 asistime e 7 kërcime për ekipin e tij, duke rrëmbyer edhe 3 topa nga kundërshtari në luftën e pakompromis. Daniels luajti me 17, ndërsa Tmusic me 15 pikë, 3 asistime e 6 kërcime. Jamel Artis dha 14 pikë e 11 kërcime, ndërsa Amin Hot që ndezi në fund kreu lojën me 12 pikë.
Deri në ndeshjen e pestë të serisë, secila skuadër fitoi ndeshjet si vendas. Avantazhi dy herë ishte te Trepça, 1-0 dhe 2-1 në seri, ndërsa Peja barazonte. E sonte në Minatori, ata kanë arritur të bëjnë atë kur u desht më së shumti, përkundër gjithë presionit nga publiku në palestrën e stërmbushur, për të fituar titullin kampion - të parin pas një dekade.