LIGA E FEMRAVE
Penza kampione e Kosovës
29 April, 2021 @20:45
Skuadra e Penzës është shpallur kampione e Kosovës në basketboll për stinorin 2020/21.
Vashat pejane festuan titullin e kampionit pasi e mposhtën Bashkimin me rezultat 63-77, në ndeshjen e pestë të serisë finale të Play Off-it që u zhvillua në Prizren.
Ndeshja ishte më e barabartë gjatë pjesës së parë, derisa në pjesën e dytë pejanët dominuan duke e thelluar epërsinë sidomos nëpërmjet kundërsulmeve.
Te skuadra fituese më e dalluara ishte amerikanja Gabirelle Cooper, e cila luajti me double-double prej 20 pikëve dhe 15 kërcimeve, kurse te Bashkimi më e mira ishte qendra Aisha Balarabe që shënoi 23 pikë dhe pati 17 kërcime.
Në fund, Kupën në duart e kapitenes Valbona Bytyqi ia dorëzuan kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Për Penzën ky është titulli i katërt që nga paslufta.