Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BARDHEKALTËRIT KALOJNË NË GJYSMËFINALE!

Prishtina mposhti Vëllaznimin dhe siguroi gjysmëfinalen e Superkupës

Foto; FBK

Prishtina mposhti Vëllaznimin dhe siguroi gjysmëfinalen e Superkupës


7 September, 2024 @22:35

Prishtina vazhdon garën për trofeun e Superkupës, pasi që në ndeshjen e dytë të turneut ka arritur të mposhtë Vëllaznimin me rezultat 78-73 për të siguruar një vend te katërshja më e mirë e turneut.

Në përballjen e luajtur në “Sezai Surroi”, pasi që KB Bashkimi është organizator i turneut, pas Trepçës edhe Prishtina ka siguruar kalimin në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës, falë lojës më të përqëndruar të lojtarëve në çerek të fundit, kur edhe në fakt u bë dallimi në lojë.

Ekipi i Murat Bilges nuk nisi mirë ndeshjen. Vëllaznimi i drejtuar nga Branimir Pavic nisi furishëm duelin, ndërsa çerekun e parë e mori me 14-23, kurse në pushim pjesëlojësh shkoi me avantazh 8 pikësh, 34-42. Sidoqoftë, Prishtina në pjesë të dytë ka arritur dalëngadalë të rikthehet në lojë dhe me çerekun e tretë 22-15 dhe atë të fundit 22-16 ka siguruar fitoren dhe kualifikimin tutje.

Jalen Moore me 23 pikë, 5 asistime e 9 kërcime ka qenë më efikasi te Prishtina, ndërsa pas lojës mori edhe çmimin e MVP-së së duelit në fjalë. Me 19 pikë ndeshjen e kreu Rashad Williams, kurse 11 të tjera i dha Henrik Sirko.

Te ekipi nga Gjakova më i dalluari ka qenë Jason Jitoboh me 18 pikë e 7 kërcime, ndërsa me 17 të shënuara e 5 asistime lojën e ka kryer Shizz Alston. Trey Anderson që luajti më së shumti, 36 minuta, dha 16 pikë, 3 asistime e 9 kërcime në ndeshje.

Prishtina tani do të pres të kuptojë rivalin e radhës për në gjysmëfinale, derisa Vëllaznimi rikthehet në stërvitje për tu komponuar edhe më për Superligë.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga