RAHOVECI - PRISHTINA

Fotot: KBRahoveci/Sh. Berisha
Prishtina rikthehet në fund për të mposhtur Rahovecin
10 April, 2022 @23:46
Pas disavantazhit për kohë të gjatë që kishte, 3 minuta e 46 sekonda para fundit të ndeshjes me treshen e Edmond Kryeziut, Rahoveci barazon rezultatin ndaj Prishtinës 75-75, ndërsa më pas me pikët e Fisnik Rugovës dhe përsëri të Kryeziut merr avantazhin 4 pikësh, 79-75.
Kishin mbetur edhe dy minuta lojë, ndërsa bardhekaltërit rekord-kampionë të Kosovës nisën rikthimin. Treshi i Muhamedali Janjevës uli epërsinë ndërsa në 2 minutat e fundit Rahoveci më s’shënoi asnjë pikë, e Prishtina fitoi duelin me përfundimtaren 79-85 [19-27, 20-22, 21-19, 19-17].
Janjeva kreu ndeshjen me 9 pikë, 4 asistime e 3 kërcime, në 22 minuta sa ishte në parket, derisa Jan Palokaj ishte më efikasi me 19 pikë të shënuara e 6 kërcime. Numër të njëjtë të kërcimeve dhe një pikë më pak se Palokaj dha Wendell Mitchell, ndërsa Prishtina mori fitoren e 13 sezonale për të barazuar bilancin në 13-13, dy xhiro para fundit të stinorit.
Fitorja do të thoshte shumë për Rahovecin dhe ndoshta do të mund të siguronin PlayOffin me një të tillë, por se cka ndodhi në 2 minutat e fundit të lojës, ishte krejt në favor të mysafirëve në parket.
Makol Mawien kreu lojën me double-double, duke shënuar 25 pikë e 12 kërcime, ndërsa 10 pikë shënoi edhe TJ Dunans, bashkë me 7 asistime, që s’mjaftuan për më shumë. Fisnik Rugova përkundër formës së mirë, gjithashtu nuk mjaftoi për fitore ndaj ish-ekipit të tij. Ai kreu lojën me 18 pikë e 9 kërcime, ndërsa Rahoveci do të tentojë fitoren në dy ndeshjet e mbetura për të siguruar PlayOffin, ndaj Ylli në xhiron tjetër si vendas, ose ndaj Trepçës në xhiron e fundit si mysafir.
Prishtina e Ante Nazorit, duket se ka vulosur pozitën e pestë në renditje dhe Prizreni’16 pritet të jetë rivali i tyre i çerekfinales së PlayOffit.