Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE!

Këndellje

Këndellje


9 September, 2024 @19:59


Kosova është këndellur duke shënuar fitore bindëse dhe të sigurt ndaj Qipros sonte në kuadër të ndeshjes së dytë të Grupit B të Ligës C të Kombeve. Dardanët kanë mposhtur Qipron si mysafir me rezultat 0-4, derisa ekipi i drejtuar nga Franco Foda me disa ndërrime në formacion dhe ndaj qipriotëve inferior, ka fituar bindshëm me Donat Rrudhanin në formë dhe Vedat Muriqin golashënues rekorder.

TABELA & REZULTATET

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen ndaj Qipros, të hënën mbrëma, në Larnaca, duke triumfuar me rezultat 4:0. Kjo ishte fitorja e parë për Dardanët në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, ku ekipi ynë dominoi plotësisht ndeshjen dhe tregoi një paraqitje mbresëlënëse.
Kosova tregoi qartë superioritetin e saj ndaj rivalit në çdo aspekt dhe atë që nga fillimi. Pas humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë, Dardanët rikthyen besimin me një performancë të shkëlqyer. Qiproja, që kishte fituar ndeshjen e fundit ndaj Lituanisë, ishte pa gjasa përballë lojës së shpejtë dhe të organizuar të ekipit të Kosovës.
Kosova e nisi furishëm ndeshjen, duke shënuar golin e parë që në minutën e 9-të. Donat Rrudhani fitoi një penallti, të cilën Vedat Muriqi e shndërroi në gol për epërsinë 1:0. Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 21-të, pas një harkimi të saktë nga Rrudhani, Muriqi realizoi sërish me kokë për rezultatin 2:0. Pjesa e parë u mbyll me dominim të plotë nga Dardanët.

Pjesa e dytë filloi me disa ndryshime taktike nga Kosova. Albion Rrahmani zëvendësoi Muriqin dhe Lumbardh Dellova zëvendësoi Fidan Alitin. Ky ndryshim dha rezultate të menjëhershëm, me Rrahmanin që realizoi golin e tretë në minutën e 48-të pas një asistimi të bukur nga Milot Rashica.
Në minutën e 55-të, pas një aksioni të koordinuar mirë, Rrudhani pasoi në zonë për Lumbardh Dellovën, i cili goditi me saktësi për të vulosur rezultatin 4:0.
Përzgjedhësi Franco Foda vazhdoi me rotacionin e lojtarëve, duke inkuadruar edhe Ilir Krasniqin, Emir Sahitin dhe Eliot Bujupin, i cili bëri debutimin e tij me ekipin kombëtar. Pak para fundit Emir Sahiti pati një mundësi të shkëlqyer për të shënuar, por goditja e tij qëlloi shtyllën.
Kjo fitore e ngre moralin e ekipit dhe tregon përkushtimin e lojtarëve për të dhënë më të mirën e tyre në çdo ndeshje pasuese.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve