PRISHTINA MERR AVANTAZHIN
Prishtina rikthehet në pjesë të dytë, për fitoren e parë në seri
13 April, 2023 @23:02
Pas pjesës së parë të kaluar në disavantazh, Prishtina është kthyer fuqishëm në pjesë të dytë për të regjistruar fitore në ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale ndaj Trepçës, që luhet deri në tri fitore për pesë ndeshje maksimalisht.
Bardhekaltërit vendas nuk e nisën mirë duelin, ndërsa Trepça bëri dallimin në çerek të dytë, për të shkuar në pushim me 37-44. Mirëpo, në pjesën e dytë ekipi i drejtuar nga Ahmet Kandemir ishte më i mirë dhe fitoi ndeshjen në fund me 82-70 [20-18, 17-26, 21-13, 24-13].
Dardan Berisha dha 20 pikë në fitore, ndërsa shutoi 5/12 për tri pikë, duke bërë edhe 2 asistime e 3 kërcime. Njëjtë 20 pikë dha edhe Dustin Thomas, që shtoi edhe 5 asistime e 7 kërcime në fitoren e ekipit, që bashkë me Dardanin dhe Derrick Wilsonin ishin lojtarët e vetëm që luajtën mbi 35-minuta dhe shënuan pikë dyshifrore për Prishtinën në fitore. ëilson dha 16 pikë.
Te Trepça, që ishte më e mirë në pjesë të parë, por ra nga loja në pjesë të dytë më efikasi ishte reprezentuesi i Kosovës Erjon Kastrati. Ai mbylli lojën me 16 pikë, 2 asistime e 6 kërcime, ndërsa tre lojtarë tjerë dhanë nga 10 pikë [Jamal Artis, Andrew Gordon dhe Mikaile Tmusic].
Pas tri ditësh, luhet ndeshja e dytë e serisë që bartet në Minatori pas fitores së sontme të Prishtinës në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.