RAHOVECI - PRISHTINA
Prishtina rikthen titullin në kryeqytet
10 May, 2019 @23:07
Skuadra e Prishtinës, duke e mposhtur Rahovecin në serinë finale të Superligës së Kosovës në basktboll me rezultat 3-1, e riktheu titullin në kryeqytet.
Ndeshja e katërt e serisë përfundoi me rezultat 75-104, derisa skuadrat nga çereku i tretë e luajtën ndeshjen pa shikues pas një incidenti të ndodhur.
Titulli i trembëdhjetë i kampionit paslufte për Prishtinën erdhi sonte.
Ekipi kryeqytetas mposhti Rahovecin për herë të tretë në serinë finale dhe kështu u bë kampion i Kosovës.
Ndeshjes hije të keqe i dha një incident 1 minutë para fundit të çerekut të tretë kur Deshon Minnis gjuajti topin me qëllim te Edmond Azemi. Ky i fundit reagoi, ndërsa nga publiku një tifoz e sulmoi. Hudhja e gjësendeve në fushë, bëri që referët të kërkonin zbrazjen e palestrës, për të vazhduar ndeshja.
Më pas nga ndeshja u përjashtuan Fred Richardson, Deshon Minnis dhe Edmond Azemi. E për fituesin më nuk kishte dilemë.
Skuadra e trajnerit Damir Mullaomerovic, pa u lodhur fare e mposhtën Rahovecin.
Më i dalluari ishte Dardan Berisha që shkëlqeu me 37 pikë, 9 asistime e 5 kërcime, derisa u ndihmua edhe nga Ahmed Bashir me 25 pikë të tjera.
Te Rahoveci Fred Richardson e Andre Washington u veçuan me nga 15 pikë secili.
Prishtina shpallet kampione për edicionin 2018/19. Ndërsa në total bardhekaltërit kanë fituar për herë të dhjetë kurorën e dyfishtë në Kosovë.