Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LAJMI I FUNDIT

Feronikeli’74 tërhiqet nga garat!

Feronikeli’74 tërhiqet nga garat!


31 October, 2024 @15:21

Përmes një njoftimi të lëshuar në kanalet e rrjeteve sociale të klubit, Feronikeli’74 ka bërë të ditur se po tërhiqet nga garat e Superligës. Pas barazimit të djeshëm ndaj Llapit në “Zahir Pajaziti” 2-2, ku Feronikeli’74 udhëhiqte 0-2, plasën reagimet nga drejtuesi i klubit të Drenasit nëpër media. Më pas u raportua se të enjtën (sot) klubi do të mbante një mbledhje bordi për të vendosur nëse do të qëndrojnë mëtutje në gara të organizuar nga FFK-ja.

E sot, plasi njoftimi si rrufe ku në titull të saj është thënë mjaft është mjaft nga Feronikeli’74.

KOMUNIKATA E PLOTË:

FC Feronikeli 74 tërhiqet nga garat: “Mjaft është mjaft!”
Të nderuar futbolldashës, tifozë “Tigrat e Zi”, simpatizantë, lojtarë, trajnerë, donatorë dhe qytetarë të Drenasit, me keqardhje ju informojmë se FC Feronikeli 74 ka vendosur të mos vazhdojë më garat në këto rrethana ku, sipas nesh, referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë.
Prej kohësh kemi garuar me përkushtim dhe dinjitet, duke promovuar një futboll të pastër në Superligën e Kosovës. Pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga referët, besuam në zhvillimin fair play të sportit dhe në integritetin e FFK-së. Kjo, ndoshta, ishte gabimi ynë më i madh. Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, pohojmë qartë: “Mjaft është mjaft!”

Humbëm pikë, por kurrë nuk u ndjemë humbës në fushë. Për ne, humbësi i vërtetë ishte referi kryesor, i cili shndërroi ndeshjet në një padrejtësi të rëndë. Përmes këtij vendimi publik, njoftojmë tërheqjen përfundimtare nga të gjitha garat e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky vendim është marrë pas analizave të shumta dhe përpjekjeve tona për të sjellë drejtësi, por, për fat të keq, kemi mbetur pa asnjë opsion tjetër.
Nëse FFK e konsideron të drejtë këtë qasje, ne nuk mund të jemi më pjesë e një gare të tillë. E ftojmë Prokurorinë që të hetojë referët dhe sjelljet e tyre të njëanshme, të cilat kanë dëmtuar sportin që të gjithë e duam. Kërkojmë falje të sinqerta për futbollistët tanë, për tifozët “Tigrat e Zi”, për donatorët dhe për të gjithë ata që kanë qëndruar përkrah nesh ndër vite.
Në këto rrethana, bordi së bashku me Presidentin tërhiqen nga klubi. Për të gjithë ne, Feronikeli 74 do të mbetet gjithmonë klubi i zemrës, por, në një ligë që nuk i respekton parimet e drejtësisë, ne nuk do të garojmë më.

Mbetet të shihet në ditët në vijim se çka do të bëj FFK-ja në këtë drejtim. Kurse, sa i përket rregullave të garave, ekipet që tërhiqen pa luajtur 51% të ndeshjeve të stinorit garues në kampionat, të gjitha rezultatet u anulohen. Pra, skuadrave që kanë luajtur me Feronikelin’74 pikët iu anulohen.

Gjithsesi, mbetet të shihet se çka do të ndodh përfundimisht në këtë drejtim, pas njoftimit të fundit të skuadrës gjelbërezi, që pas shuarjes së Feronikelit, shfrytëzoi “fuzionimin” me një ekip, e u ri-emërua në Feronikeli’74 për të vazhduar tutje!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga