FERIZAJ - MALISHEVA
Fund dramatik në Ferizaj, pikët ndahen
31 October, 2024 @15:10
Në katër ndeshje ka shkuar ecuria pa humbje e Ferizajit në Superligë. Pas tri fitoreve radhazi, sot Ferizaji ka shpëtuar nga humbja në fund ndaj Malishevës, në një takim që dhuroi një përfundim tejet dramatik.
Në fund, Ferizaji dhe Malisheva barazuan 1-1 (Drilon Hazrollaj 90+1’ / Albion Kurtaj (P) 90+12’).
Përkundër rasteve të shfaqura për shënim, pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultat të bardhë.
Gjërat për Ferizajin u vështirësuan në minutën e 61’, kur kapiteni Edon Sadriu u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë, gjë që ndikoi që mysafirët ta shtonin presionin dhe të sulmonin dukshëm më tepër.
Mundi i Malishevës u shpagua, me golin që erdhi në minutën e 90+1’. Topin në rrjetë nga afërsia e çoi Drilon Hazrollaj, i shërbyer nga Edis Malikji. Ky gol fillimisht u anulua nga gjyqtari anësor për shkak të pozitës jashtë loje, por pastaj u konfirmua si i rregullt nga VAR-i.
Kur u mendua se ndeshja do të mbyllej me fitoren e Malishevës, Arlind Veliu i kësaj skuadre shkaktoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga zëvendësuesi Albion Kurtaj, që ia siguroi skuadrës së tij një pikë mjaft të vlefshme në luftën për mbijetesë. Edhe vendimi për këtë penallti u rikonfirmua pas rishikimit me VAR.
Rezultati i sotëm e mban Ferizajin në vendin e shtatë, kurse Malisheva ka pikë të barabarta me Ballkanin lider.