LLAPI - FERONIKELI 74
Fund dramatik në Podujevë, Blakçori shpëton Llapin nga humbja
30 October, 2024 @16:15
Fund dramatik në ndeshjen mes Llapit dhe Feronikelit 74 në Podujevë sot.
Skuadra vendase shpëtoi nga humbja në sekondat e fundit të ndeshjes, me një gol të shënuar në minutën e tetë të kohës shtesë për përfundimtaren 2-2 (Vasilios Karagounis 45+1’, Hasan Hyseni 69’ / Ardit Tahiri 82’, Ilir Blakçori 90+8’).
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll 0-1 për skuadrën nga Drenasi, e më pas pjesa e dytë dhuroi edhe tre gola të tjerë.
I vetmi gol në pjesën e parë u shënua nga greku Vasilios Karagounis në fundin e pjesës së parë. Asistues te ky gol ishte Hasan Hyseni.
Asistuesi i golit të parë, mitrovicasi Hasan Hyseni, ishte ai që e dyfishoi epërsinë e Niklit në minutën e 69’.
Megjithatë, podujevasit nuk u dorëzuan dhe shënuan dy herë në minutat 82’ e 90+8’, për ta mbyllur ndeshjen të paktën me një pikë.
Goli i parë u shënua nga Ardit Tahiri pas një topi të kthyer nga shtylla kur Blend Baftiu dështoi nga një penallti tejet diskutabile të akorduar për Llapin, e krejt në fund barazoi mbrojtësi i majtë Ilir Blakçori.
Në minutën e dytë të kohës shtesë, Hasan Hyseni u përjashtua me karton direkt të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë në minutat vendimtare të ndeshjes, gjatë të cilave u pranua edhe goli i dytë.
Barazimi i sotëm bën që Nikli të mbetet akoma pa fitore sezonale, kurse Llapi tashmë shkon në katër ndeshje pa fitore dhe e sheh veten në vendin e gjashtë në renditje.