KARAGAÇ
Te Peja zyrtarizohet Darius Washington, ish-NBA lojtar
11 March, 2022 @10:52
Basketbollisti me përvojë tepër të madhe në basketbollin evropian, por edhe një kohë lojtar i San Antonio Spurs në NBA, Darius Washington është lojtar i ri i KB Peja.
Verdhezinjtë kanë bërë të ditur sot njoftimin për ardhjen e lojtarit, ndërsa 36-vjeçari pritet të jetë i gatshëm që në ndeshjen e radhës për klubin.
“KB Peja njofton se ka arritur marrëveshje me lojtarin me shumë përvojë, i pozitës play, Darius Washington,” ka shkruar KB Peja në njoftimin e saj për lojtarin.
Kush është Darius Washington?
Amerikani që ka nënshtetësi edhe maqedonase, i lindur në vitin 1985 në Winter Park të Floridës së SHBA-ve, është 188-centimetra i gjatë dhe që mund të merr epitetin e menjëhershëm të lojtarit me karrierë më të bujshme në Superligë.
Ai luan aktivisht basketboll që nga viti 2006, ndërsa pas fillimit të karrierës profesionale në PAOK të Greqisë, iu kthye për një kohë NBA-së ku luajti disa lojë për San Antonio Spursin (2007, 18 ndeshje, me mesatare 2.9 pikë për ndeshje).
Rikthimi i shpejt në Evropë, bëri që ai të luajë te disa skuadra tepër të njohura dhe me traditë nga basketbolli evropian, si Aris, pastaj Galatasaray, Lottomatica Roma, Hapoel Eliat, Le Mans, Nymburk, etj.
Së fundi në vitin 2019 ka qenë pjesë e Rabotnickit të Shkupit, ndërsa në sezonin e kaluar 2020/21 ka luajtur për Phoenixin e Brukselit të Belgjikës.
Të këta të fundit Washington ka pasur mesatrisht afro 22 minuta për lojë, ndërsa ka shënuar 11 pikë për ndeshje, 2.6 asistime për ndeshje dhe 3.5 kërcime për ndeshje.
Me Arisin (2007/08) dhe me Romën (2010/11) ka qenë pjesë e ligës elite të basketbollit evropian, EuroLeague. Mesatarja mbi 10 pikë për ndeshje te të dyja skuadrat.
Vonë, ai iu bashkangjit edhe reprezentacionit të Maqedonisë në basketboll, duke qenë se u bë shtetas i natyralizuar i fqinjit të Kosovës.
Përndryshe, Peja pret shumë nga playmakeri i ri i ekipit që do të jetë përfundimisht zëvendësues i Erdem Ilterit që ishte lënduar dhe larguar.
Ekipi që javën e kaluar zyrtarizoi Marin Dokuzovskin trajner në vend të Semsettin Basit, ka siguruar Final Fourin e Ligës Unike, ndërsa të njëjtën e dëshiron edhe në Superligë - pastaj për të shikuar mundësinë për trofeun e parë të sezonit.