MITROVICASIT NË FINALEN E RADHËS
Trepça përsëri në finale të Kupës
17 February, 2023 @18:57
Skuadra e Trepçës ka arritur për të dytin vit me radhë në finale të Kupës së Kosovës dhe tashmë e ndajnë vetëm 40-minuta lojë nga mbrojtja e trofeut, që e fitoi në edicionin e kaluar.
Mitrovicasit kanë kaluar Rahovecin organizator të Kupës në gjysmëfinale, ndërsa djelmoshat e drejtuar nga Engin Gençoglu kanë tejkaluar këtë duel me një fitore tepër të luftuar ndaj vreshtarëve të drejtuar nga Daniel Nelson.
Will Daniels me 18 pikë ka qenë koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ku mitrovicasit hapën rrugën në finale, ndërsa fitorja u bë me 8 pikë dallim, 87-79.
Mikaile Tmusic dha 15 pikë, bëri 5 asistime e 6 kërcime në këtë fitore, ndërsa nga 14 pikë dhanë Drilon Hajrizi e Erjon Kastrati.
Pas befasisë së bërë ndaj Pejës, Rahoveci nuk pati edhe pak fuqi për të bërë edhe një të radhës. Përkundër se luftuan shumë dhe e dëshiruan fitoren, vreshtarët thjesht nuk mjaftuan ndaj gjerësisë së ekipit të mitrovicasve, për tu mposhtur në fund.
Jack Pagenkopf shënoi 22 pikë dhe bëri 6 asistime në këtë ndeshje, ndërsa 11 të tjera dha Gary Blackston, që shtoi edhe 10 kërcime. Bardhi Rexha kreu lojën me 10 pikë e 7 kërcime.
Trepça në finale pret fituesin e ndeshjes Prishtina-Ylli, ndërsa Rahoveci eliminohet nga gara.