Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ZYRTARIZOHET NDARJA

Trepça zyrtarizon ndarjen me Gençoglun

Trepça zyrtarizon ndarjen me Gençoglun


10 May, 2023 @13:47

Skuadra e Trepçës para pak çastesh ka zyrtarizuar largimin e trajnerit të ekipit Engin Gençoglu. Sipas klubit, ndarja është bërë me marrëveshje të dyanshme, ndërsa deri në fund të stinorit, faktikisht në ndeshjet finale të serisë skuadrën do ta drejtojë Ilir Selmani.

“Klubi i basketbollit Trepça njofton se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Engin Gençoglu. Skuadrën deri në fund të plejofit e drejton Ilir Selmani, që deri më tani ishte në shtabin teknik. Klubi e falënderon Gençoglun për kontributin e dhënë në skuadrën tonë. Bashkë kemi fituar Kupën e Kosovës dhe kemi arritur në finale të plejofit. Të gjithë në klub janë të përkushtuar që skuadra të shfaq më të mirën në ndeshjen e nesërme ndaj Pejës,” ka shkruar njoftimi i KB Trepçës.

Trepça në ndeshjen e dytë të serisë pësoi humbjen më të thellë gjatë PlayOffit duke u mposhtur 107-79 në Karagaç, ndërsa kryetrajneri turk i mitrovicasve kishte thënë se ai merr përgjegjësinë për këtë humbje të thellë.

Gençoglu 43-vjeç fitoi me Trepçën Kupën e Kosovës gjatë muajit shkurt të këtij viti, ndërsa ishte trajneri i tretë i xehetarëve këtë stinor pas bullgari Ljubomir Minchev dhe verimaqedonasit Aleksandar Jonchevski.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga