DEKLARATA E TRAJNERIT TË PRISHTINËS PAS NDESHJES
Urbonas: Po relaksohemi pas epërsisë...
5 November, 2023 @10:00
Trajneri i Prishtinës, Zydrunas Urbonas, ka qenë natyrisht i zhgënjyer, por edhe i frustruar nga humbja e pësuar mbrëmë prej Vëllaznimit në “Shani Nushi”. Lituanezi ka treguar arsyet e humbjes së ekipit të tij, ndërsa ka pasur fjalë edhe për lojtarët e tij që po mendojnë se janë më të mirë se të tjerët.
Ai ka thënë se ekipi duhet reaguar urgjentisht dhe tash e tutje do të punojë në box-out edhe nëse nuk përkon kjo me punën e tij të deritashme si trajner.
“Nuk mendoj se ka qenë histori e njëjtë si në Pejë. Ne duhet të mësojmë të respeketojmë secilin. Situata ishe kjo… ishim përparpa, 12 apo 13 pikë... Disa lojtarë mendojnë se mund të luajnë si të duan. Filluam një lloj relaksimi, e thjesht është kjo dhe pastaj të ndodh… Ua tregova ditë më parë ndeshjen e kaluar. Dolën në epërsi dhe pastaj u relaksuan, kurse në fund u mposhtëm. Disa mendojnë se janë më të mirë se tjerët në ekip, por nëse këtë e mendon me të vëretë, atëherë tregoje në fushë të lojës, jo me fjalë... Ndërsa është i tmerrshëm fakti që ata dhanë 20 pikë nga kërcimet në sulm… Paramendoni, 20…,” ka thënë ndër të tjera, i frustruar nga paraqitja e lojtarëve, Urbonas.
Prishtina kishte epërsi 11 pikëshe ndaj Vëllaznimit në fund të çerekut të tretë, ndërsa në çerekun e katërt pranoi 29 pikë karshi 12 të shënuarave për tu mposhtur me 6 pikë dallim.