DALIN NË KRYE

Vushtrria fiton thellë dhe kalon në krye të renditjes
21 January, 2023 @20:29
Skuadra e Vushtrrisë me fitoren e thellë ndaj Dukagjinit sonte ka marrë kreun e renditjes tabelare në Ligë të Parë. Ekipi i drejtuar nga Gazmend Asllani ka kaluar lehtë kundërshtarin që po lufton për mbijetesë, ndërsa në xhiron ku lideri i deritashëm (Istogi) pushoi, ata me fitore kanë dalë në vend të parë të renditjes tabelare.
Vushtrria mposhti Dukagjinin 101-62 [25-10, 14-10, 39-12, 23-30] ndërsa pesë lojtarë të tyre shënuan pikë dyshifrore, prej të cilëve më së shumti Ramadan Zekiqi, 18 sosh. Pesëmbëdhjetë pikë shënoi Rinol Gashi, ndërsa me double-double lojën e kreu veterani Besnik Azemi që dha 13 pikë e bëri 10 kërcime.
Te Dukagjini koshashënues më i mirë ka qenë Arbër Bilalli. Ai kreu lojën me double-double duke dhënë 15 pikë e duke bërë 13 kërcime në humbjen e skuadrës.
Pas këtij dueli, që ka qenë përmbyllës i xhiros XXIII dhe xhiros së parë të ciklit të tretë të ndeshjeve në ligë, Vushtrria ka bilanc 16-5 ndërsa Dukagjini 5-16.